Një vajzë 11-vjeçare në Indi është djegur e gjallë nga dy gra, nëna të
dy shoqeve të saj, të cilat vendosën ta ndëshkonin pasi sipas tyre
kishte spiunuar për një vjedhje në një baçe frutash.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Balinali, në shtetin lindor të Orisës, bën të ditur agjencia e lajmeve “PTI”. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se vajza është futur bashkë me dy shoqet e saj në pronën e një fshatari për të vjedhur fruta.
Për motive ende të paqarta, vogëlushja ka treguar më pas identitetet e dy moshatareve tek pronari i baçes, që ka shkuar menjëherë tek prindërit e tyre për t’i informuar mbi ngjarjen.
Por, në vend që të qortonin vajzat, dy nënat e tyre kanë gjetur një enë me benzinë dhe kanë shkuar në shtëpinë e vogëlushes. Duke përfituar nga fakti që ajo ishte vetëm në shtëpi, e kanë bllokuar, e kanë lagur me benzinë dhe i kanë vënë zjarrin.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, gjyshi i të miturës ka dhënë menjëherë alarmin. Vajza është transportuar në spital, por ka vdekur si pasojë e djegieve të rënda të marra në të gjithë trupin e saj.
Top Channel