Spiunazhi, SHBA ftojnë Kinën për dialog

31/05/2013 16:40

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel ka kërkuar një dialog të sinqertë me homologun e tij kinez, në lidhje me kërcënimet informatike dhe spiunazhin elektronik.

Apeli i zotit Hagel vjen pas lajmeve se hakersat kinezë kanë depërtuar në programet sekrete të Shteteve të Bashkuara mbi armatimet dhe teknologjitë e tjera mbrojtëse.

Shefi i Pentagonit deklaroi se Shtetet e Bashkuara e dinë origjinën e shumicës së këtyre sulmeve. “Ka vetëm një mënyrë për të trajtuar këto çështje: të shohim përpara”, tha Hagel.

Sekretari i Mbrojtjes e bëri deklaratën e tij për gazetarët në një konferencë ndërkombëtare mbi sigurinë që po mbahet në Singapor. Ai tha se SHBA dhe Kina duhet të hartojnë “rregullat e rrugës” për të lehtësuar kërcënimin e sulmeve kibernetike.

Rreziku i këtij lloji pritet të diskutohet për herë të parë edhe në një takim të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, që do të mbahet javën e ardhshme.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara thonë se shkeljet janë pjesë e një fushate të gjerë spiunazhi të autoriteteve kineze. Ato i kanë paralajmëruar prej vitesh këto operacione, që synojnë vjedhjen e informacioneve ushtarake dhe teknologjike të Uashingtonit.

Por, teksa SHBA po përpiqen të rrisin praninë e tyre në rajonin e Azisë së Paqësorit, po rriten shqetësimet se Kina mund të përdorë informacionet në fjalë për të minuar superioritetin ushtarak të Amerikës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA