SHBA, konfiskohet 1 miliardë dollarë kokainë

31/05/2013 08:40

Brenda 48 orëve të fundit, një gomone e mbushur me kokainë u sekuestrua dhe një tjetër u mbyt nga autoritetet amerikane, duke i shkaktuar krimit të organizuar një dëm prej plot një miliardë dollarësh.

Në total, 3 000 kilogramë kokainë u sekuestruan dhe 2,9 tonë të tjerë u shkatërruan.

Gjatë së enjtes, një gomone u evidentua duke lëvizur me shpejtësi pranë ishujve Galapagos, në Oqeanin Paqësor, me drejtim Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Helikopterë të Rojes Kufitare u vunë në ndjekje të gomones, e drejtuar nga tre persona, të cilët pasi mësuan se po ndiqeshin, nisën të hidhnin ngarkesën në det.

Në tentativë për t’i ndaluar, helikopterët qëlluan gomonen, të cilën e mbytën, ndërsa keqbërësit u arrestuan.

Ndërkohë, në orët e para të së premtes, tre tonë kokainë e pastër, me vlerë tregu rreth 500 milionë dollarë, u ndaluan në një gomone që lundronte në ujrat panameze.

E nisur edhe ajo me destinacion SHBA-në, gomonia u pikas nga vrojtimi satelitor që i bëjnë autoritetet amerikane bregut të Amerikës Jugore dhe pas një ndjekje prej Rojes Kufitare Amerikane në ujra ndërkombëtarë, skafisti u dorëzua në Panama së bashku me ngarkesën e tij.

”Këto arrestime janë një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrijë bashkëpunimi ndërshtetëror në shkatërrimin e aktivitetit të krimit të organizuar”, komentoi Doug Garner, drejtori i Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare, në shtetin e Floridës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA