Në Ambasadën e Shqipërisë në Belgjikë nisi proçesi i shpërndarjes i pasaportave dhe kartave të identitetit biometrike shqiptare për bashkatdhetarët që jetojnë në Belgjikë, Holandë, Luksemburg, por edhe për ata në Gjermani apo Francë.
Gjatë ceremonisë të organizuar në formë shfaqjeje për mediat, zv.ministri i Brendshëm Ferndinand Pone e përdori nga Brukseli këtë shërbim publik, për fushatë zgjedhore pak ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit.
“Ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë Berisha, i Ministrisë së Brendshme, i kompanisë së shkëlqyer të kartave të identitetit dhe pasaportave të cilën unë gjej rastin edhe njëherë t’i falenderoj. Por është dhe një hap tjetër shumë i madh të asaj që zoti kryeministër ka premtuar për festën e 100-vjetorit të vendit, të kohezionit më të madh të shqiptarëve”, deklaroi Ferdinand Pone.
Top Channel: Sa kushton një pasaportë dhe sa kohë do t’i duhet qytetarit për ta marrë atë?
Ferdinand Pone: Ne kemi ruajtur të njëjtat standarde prodhimi si në Shqipëri, në kuptimin teknologjik dy javë. Por për shkak se do të duhet të vijnë dokumentet në Tiranë e me radhë, standardi është një muaj, dhe qytetarët do të duhet të paguajnë çmimin e vendosur me ligj për pasaportat, që është në mos gaboj 140 euro, dhe 13 euro për kartën e identitetit.
Përveç pasaportave dhe kartave të identitetit, shërbimet konsullore nuk mund të shpërndajnë ende çertifikata të gjendjes civile. Ndërkohë, pas ceremonisë, Ferdinand Pone refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të tjera teknike mbi procesin, duke penguar hapur dhe me nervozizëm edhe punonjësit e ambasadës që të jepnin më shumë informacion për mbarëvajtjen e këtij procesi të ri.
Përveç kësaj, në mënyrë të pashpjegueshme, kërkesës së Top Channel për një intervistë zv.ministri i Brendshëm iu përgjigj me fjalë fyese për televizionin Top Channel dhe për gazetarin që ndoqi ngjarjen, të cilin, pasi thirri truprojën u përpoq ta dëbonte nga ambientet e Ambasadës Shqiptare në Belgjikë.
Top Channel