Eurozonë, papunësia rekord të ri

31/05/2013 15:50

Papunësia në eurozonë ka arritur një tjetër rekord, sipas shifrave zyrtare. Kuota sezonale e rishikuar për muajin prill ishte 12.2 për qind, nga 12.1 për qind që ishte një muaj më parë.

Të paktën 95 mijë persona më shumë kanë mbetur pa punë në 17 vendet anëtare që përdorin euron, duke e çuar totalin në 19.38 milionë të papunë.

Kuotën më të lartë e kanë Greqia dhe Spanja, mbi 25 për qind, të ndjekura nga Portugalia me 17 për qind.

Zyra e statistikave e Komisionit Evropian, EUROSTAT, ka saktësuar se kuotën më të ulët e kanë: Austria 4.9 për qind, Gjermania 5.4 për qind dhe Luksemburgu 5.6 për qind.

Në Francë, ekonomia e dytë më e madhe e Evropës, numri i të papunëve u rrit në një rekord të ri në muajin prill.

“Nuk besoj se do të ketë stabilizim të papunësisë në mes të vitit. Situata në Francë vazhdon të përkeqësohet”, ka deklaruar Frederik Ducrozet, ekonomist i bankës franceze “Credit Agricole”.

Papunësia në radhët e të rinjve mbetet shqetësimi kryesor. Në muajin prill 3.6 milionë persona nën moshën 25 vjeç rezultonin të papunë në eurozonë, që e përkthyer në kuotën e papunësisë do të thotë 24.4 për qind.

Shifrat e publikuara nga qeveria italiane tregojnë se 40.5 për qind e të rinjve në Itali janë të papunë. “Duhet të përballemi me një krizë sociale që po prek gjithnjë e më shumë të rinjtë dhe që duhet të jetë në qendër të aksionit politik”, deklaroi presidenti Giorgio Napolitano.

Të dhënat e EUROSTAT tregojnë më tej se në muajin prill 1.6 milionë persona humbën vendet e tyre të punës në bllokun 17-anëtarësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA