Uragani “Barbara” përplaset në Meksikë

30/05/2013 00:00

Uragani “Barbara” është përplasur në disa zona të bregut të Paqësorit, në Meksikë, pasi zbarkoi më herët në qytetin Santo Domingo Zanatapek, në shtetin Oaksasa.

Dy persona janë vrarë në shtetin në fjalë, kanë njoftuar autoritetet lokale, sipas të cilave bëhet fjalë për një sërfist amerikan dhe një vendas të rrëmbyer nga vala e përmbytjeve.

Ndërkohë, 14 peshkatarë raportohen të humbur në det. “Barbara” humbi fuqinë teksa u përplas në tokë, por mbuloi me ujë zona të tëra, duke sjellë përmbytje në disa prej tyre.

Uragani mbërriti gjithashtu 130 kilometra në lindje të Salina Kruz, shtëpi e rafinerisë më të madhe të naftës në Meksikë.

Një paralajmërim është bërë nga autoritetet për ngushticën detare mes lokaliteteve Puerto Angel dhe Barra de Tonala. Mijëra persona në shtetet Çiapas dhe Oaksasa janë evakuar, rrugët janë mbyllur dhe trafiku detar i pezulluar.

Stuhia që i parapriu uraganit shkaktoi përmbytje në shumë zona bregdetare, përfshirë resortin e Akapulkos, më poshtë në veri. Uragani pritet të shpërbëhet në 24 orët e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA