Irani, pas “komplotit në Amerikën Latine”

30/05/2013 04:55

Një prokuror argjentinas ka akuzuar Iranin se është përpjekur të infiltrojë disa shtete në Amerikën Latine për të sponsorizuar dhe ndërmarrë “aktivitete terroriste”.

Alberto Nisman tha se Irani ishte përpjekur të ngrinte stacionet e grumbullimit të agjentëve në Brazil, Kili, Kolumbi dhe disa vende të tjera të rajonit. Ai po heton një sulm me bombë, që la 85 të vdekur në një qendër hebrenjsh, në Buenos Aires, në 1994.

Irani ka mohuar gjithnjë përfshirjen në atë sulm. Por, në akt-akuzën e dorëzuar në një gjykatë federale në Buenos Aires, të mërkurën, Nisman përsëriti akuzën e bërë shpesh herë, se Irani sponsorizoi sulmin me bombë. Ai akuzon gjithashtu Iranin për një projekt dashakeqës në gjithë rajonin.

“Ligjërisht akuzoj Iranin se ka infiltruar disa shtete amerikano-jugore për të instaluar stacione zbulimi, me fjalë të tjera baza spiunazhi, të destinuara për të kryer, nxitur dhe sponsorizuar sulme terroriste si ai, që ndodhi kundër Amia-s”, është cituar të ketë thënë Nisman, duke iu referuar qendrës së hebrenjve të bombarduar afro 20 vjet më parë.

Ai tha se shtetet “bashkëpunëtore” përfshinin Brazilin, Paraguajin, Uruguajin, Kilin, Kolumbinë, Gujanan, Trinidad dhe Tobagon dhe Surinamin.

Ai theksoi gjithashtu se Mohsen Rabbani, ish-atasheu kulturor iranian në Buenos Aires, të cilin Argjentina e akuzon për sulmin në Amia, ishte duke koordinuar operacionin e infiltrimit.

Në shkurt, ligjvënës argjentinas aprovuan një marrëveshje me Iranin për të krijuar një komision ndërkombëtar për të zbuluar të vërtetën dhe për të hetuar sulmin e Amia-s.

Argjentina ka lëshuar mandate arresti për disa iranianë dhe një libanez, në lidhje me atë sulm me bomba.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA