Bloomberg kërcënohet nga letra me ricinë

30/05/2013 02:00

Testet paraprake kanë gjetur përmbajtje ricine në letrat e dërguara fundjavën e kaluar drejt kryebashkiakut të New York-ut, Michael Bloomberg, ka bërë të ditur zëvendës-komisioneri i policisë së NY, Paul Browne, gjatë së mërkurës.

Browne tha se letrat e dërguara Bloomberg përmbanin një kërcënim ndaj kryebashkiakut dhe i referoheshin debatit për ligjin e armëve.

Njëra prej letrave, e dërguar në zyrën e kryebashkiakut, u hap në objektin e lëshimit të mail-eve të pushtetit lokal, tha Browne.

Disa punonjës të shërbimeve të emergjencës, të cilët prekën letrën gjatë të premtes, u ekzaminuan menjëherë pasi shfaqën simptoma të lehta të ekspozimit ndaj ricinës, ditën e shtunë. Megjithatë, simptomat ishin të lehta dhe kanë kaluar tashmë.

Punonjësit civilë nuk patën simptoma, sipas deklaratës së Browne.

Letra e dytë ndaj kryebashkiakut u hap nga Mark Glaze, drejtor i “Kryebashkiakët kundër Armëve ilegale”, e themeluar dhe bashkëkryesuar nga Bloomberg, të dielën në Washington.

Në deklaratën e Browne, nuk theksohet nëse Glaze shfaqi ndonjë simptomë të këtij virusi. Ndërkohë, një zëdhënëse e organizatës refuzoi të komentonte ditën e mërkurë.

Të dy letrat kishin të njëjtën pullë poste, bëri të ditur një zyrtar i zbatimit të ligjit, i cili nisi menjëherë hetimin. Asnjëra prej tyre nuk ishte dërguar nga New York City apo Washington-i, tha ai.

Bloomberg është një kritik i hapur i ligjit aktual të armëve. Në mars, ai tha se kërkimet e thellësishme të “background”-eve të personave, që kërkojnë të pajisen me armë, do të shpëtonin jetë njerëzish.

“E dimë këtë të vërtetë, sepse në shtetet, ku aktualisht kërkohen kontrolle më të imtësishme ndaj shitësve privatë, përqindja e grave të vrara nga një partner i nevrikosur me armë është 38% më e ulët, se sa në shtetet, ku nuk ka kontrolle të tilla”, tha ai.

Zëdhënësi i FBI-së, Jim Margolin, tha për CNN se agjencia po punon për të përcaktuar se nga janë dërguar letrat dhe kush i dërgoi ato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA