Lufta kundër duhanit filloi 50 vjet më parë. E para që i hapi luftë, më 8
qershor 1963, ishte shoqëria American Heart Association, me një raport
të ashpër në të cilin evidentoheshin për herë të parë me qartësi efektet
e cigareve për shëndetin dhe lançonte aksione sensibilizuese për
opinionin publik.

Një vit më vonë u aprovuan në Shtetet e Bashkuara ligjet e parra që parashikonin paralajmërime për rrezikun e produkteve me bazë duhani dhe kufizonin reklamimin e tyre.

Në vitet ’80 shumë shtete, me Kanadanë në krye, nisën zbatimin e një legjislacioni për kontrollin e duhanit. Më 28 shkurt 2005 hyri në fuqi një konventë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për luftën kundër duhanit dhe në të njëjtin vit shumë shtete vendosën ta ndalonin atë në lokalet e mbyllura publike e private.

Pavarësisht se që atëherë janë bërë shumë hapa përpara, duhani mbetet ende sot një “big killer”, siç kujton OBSH me rastin e ditës botërore kundër duhanit, më 31 maj.

Çdo vit nga duhani vdesin rreth 6 milionë persona dhe për të sensibilizuar njerëzit në disa shtete janë ndërmarrë anti-reklama, me qeveritë që kanë urdhëruar vendosjen e fotove të njerëzve të shpërfytyruar nga duhani në paketat e cigareve.

Top Channel