Në zgjedhje edhe më këtë KQZ?

29/05/2013 00:00

Në ditën e dytë të vizitës në vendin tonë Drejtori për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, pas takimeve me drejtues të pushtetit vendor në Durrës, konfirmoi qëndrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara për një vëmendje maksimale tek zgjedhjet në Shqipëri.

Ai la te kuptoje se misioni per zgjidhjen e krizes ne KQZ ka qene i pamundur.

“Situata më e mirë do të ishte që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kishte 7 anëtarë. Sidoqoftë aty ka vetëm 4 anëtarë aktivë dhe kjo çështje mund të zgjidhet shpejt, por edhe mund të mos zgjidhet shpejt. SHBA do të japin një vëmendje tejet të shtuar ndaj të gjithë procesit të zgjedhjeve”, tha Moore.

Megjithatë zyrtari i lartë amerikan theksoi se në Shqipëri ka edhe institucione të tjera, siç është Kolegji Zgjedhor. Ai rikujtoi se SHBA-të duan që votuesit shqiptarë të besojnë tek institucionet që merren me menaxhimin e zgjedhjeve.

Moore mbështet qëndrimet e Arvizu-së

Një ditë më pare, pas takimit me Edi Ramën me shumë finese, Moore i dha mbështetje qëndrimeve të deritanishme të ambasadorit amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu ku tha: “Edhe në të shkuarën, ne e kemi shprehur qëndrimin tonë për zgjedhjet, sikurse edhe ambasadori ynë e ka bërë të qartë se duam që populli shqiptar të ketë besim në procesin elektoral, në institucionet dhe tek rezultati zgjedhjeve pas 23 qershorit që është duke afruar”.

Përfshirja e Arvizu-së në këtë deklaratë është qartësisht e kuptueshme dhe aspak e rastësishme. Ambasadori Aleksandër Arvizu që prej javës së shkuar është vënë në qendër të deklaratave kritike të Kryeministrit Berisha pas një sëre qëndrimesh të ambasadorit për KQZ-në, të cilat nuk kanë qenë në një gjatësi vale me ato të Berishës.

Analistët poltike në media nuk janë kursyer ta përshkruajnë përplasjen e Berishës me ambasadorin Arvizu si të ngjashme me përplasjet e mëparshme me ish-ambasadoren Marisa Lino dhe John ëithers.

Top Channel