Gjykata e Tiranës ka dënuar drejtorin e ‘La Gazzetta Del Mezzogiorno’, Carlo Bolino me 75 mijë euro gjobë, pas një opadie të bërë nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi.
Objekt padie ka qenë një artikull i botuar në ‘Gazeta Shqiptare’ në vitin 2011 mbi historinë e privatizimit të ish-kabinave të plazhit në Durrës, 70 prej të cilave nuk u privatizuan sepse toka iu kthye ish-pronarëve.
Në artikull publikohet letra që familjet e pastreha të këtyre 70 apartamenteve i drejtojnë kryeministrit Berisha, duke shkruar se pronarët e tokës ishin njerëz të afërt me ministrin Olldashi.
Në një intervistë telefonike për Top Channel, zoti Bolino e quan këtë një vendim të paligjshëm, pasi si përfaqësues ligjor i grupit ‘Mediterranea’, ndaj të cilit u bë padia, ai nuk kishte asnjë dijeni për shkrimin.
“Jam marrë personalisht me një vendim që më dënon me një gjobë prej 75 mijë euro për një shkrim që as nuk e kam lexuar e as e kam parë”, thotë Bolino.
Zoti Bolino shpjegon se në kontratën e shitjes së ‘Gazetës Shqiptare’ tek grupi mediatik që e zotëron aktualisht përfshihej edhe trashëgimia e proçeseve gjyqësore pezull. Në këto kushte, ai thotë se masa e marrë ndaj tij ka prapavijë të qartë politike.
Top Channel