“Apple” nën lupën e Brukselit

28/05/2013 00:00

Komisioni Evropian po heton kompaninë “Apple” për të verifikuar nëse po
përdor apo jo politika shitjeje që bien në kundërshtim me rregullat e
konkurrencës.

Sipas mediave evropiane online, kolosi i teknologjisë dyshohet se ka përdorur taktika të tilla për t’u afirmuar dhe për të nxjerrë jashtë loje prodhuesit e tjerë të celularëve.

“Financial Times”, që citon burime konfidenciale, shkruan se hetimi ka nisur pikërisht pas protestave të operatorëve telefonikë dhe është ende në fazat paraprake.

Më herët gjatë muajit, një nënkomision hetimor i Senatit amerikan akuzoi “Apple” se ka shmangur pagesën e taksave që shkojnë në miliarda dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe në botë.

Senati vlerësoi se kompania e themeluar nga Steve Jobs kishte krijuar një strukturë komplekse në bazë të të cilës divizionet e saj përtej oqeanit nuk rezultonin të regjistruara në asnjë vend.

Senatorët amerikanë e kritikuan gjithashtu kompaninë se nuk kishte dorëzuar në agjencinë e mbledhjes së taksave, IRS, të paktën 74 miliardë dollarë në periudhën 2009-2012.

Por administratori Tim Cook, në një seancë dëgjimore me anëtarët e nënkomisionit, deklaroi se “Apple” është një nga taksapaguesit amerikanë më të mëdhenj, duke qenë se ka paguar në taksa federale mbi të ardhurat rreth 6 miliardë dollarë për vitin 2012.

“Ne nuk përdorim truke fiskale. “Apple” është një histori suksesi që ka favorizuar krijimin e rreth 600 mijë vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara”, deklaroi Cook.

Top Channel