AGO NEZHA – Ne respektojmë mendimet e kundërta, se para së gjithash
pluralizmi është besim në vlerën e larmisë së mendimeve. Larmia e
mendimeve është e kundërta e konfliktit të mendimeve. Opinionet nuk janë
të lindura, ato shfaqen si gjykim për një fenomen konkret.
Tash që ka nisur fushata, kanë dalë në “ring” jo vetëm politikanët, por edhe të ashtuquajturit opinionistë, që janë një klasë standarde, e kolauduar nga mediat vizive.
Opinionisti duhet ta konsiderojë veten si një gjykatës i pavarur që është në një pozicion të besuar për të vendosur drejtësi. Po u ndikua nga ngarkesa politike, shoqërore apo ekonomike ai e ka humbur personalitetin dhe autoritetin e vet, pavarësinë e mendimit dhe lirinë e gjykimit të fenomenit. Analizat, hulumtimet, gjykimet duhet të jenë të pavarura.
Analisti Karl Doiçi thotë se “opinionet rrjedhin poshtë shkallë-shkallë, si një kaskadë e ndërprerë nga një sërë pellgjesh. Pellgu i sipërm, sipas Doiçit, përbëhet nga elitat ekonomike dhe shoqërore. Pas tij vijnë pellgjet e elitave politike dhe qeveritare, e mjeteve të informacionit masiv, e drejtuesve të opinionit dhe më në fund, e publikut të gjerë”.
Në këtë vështrim ka raste që opinionistët i barazojnë me politikanët. Por e vërteta është krejt ndryshe. Politikani qëndron në njërin skaj dhe opinionisti në skajin tjetër. I pari është konformist pragmatist, ndërsa i dyti idealist. Në idetë racionale qëndron forca e opinionistit, ndërsa idealet janë armët që ai përdor për të argumentuar idetë e tij. Disa opinionistë e shtrembërojnë politikën duke përdorur një realizëm të tepruar ose një moralizëm të tepruar.
Vërejmë opinionistë empirikë që ndjekin moton prit dhe shiko, të mbështetur në realitetin konkret dhe opinionistë pragmatikë provo e shiko, duke vënë në qendër të gjykimit të tyre, rreptësinë logjike. Megjithatë struktura logjike e argumentimit është të nxjerrësh më shumë nga një gjë, në qoftë se kërkon më pak nga e kundërta e saj. Çdo demokraci funksionon nëpërmjet diskutimit të lirë e të pavarur të mendimit. Opinionisti mbron dhe nxit ndryshimin e mendimeve, “duke qenë të një mendimi që të mos jemi të një mendimi”. Por analist do të thotë i përgjegjshëm për atë që mbron dhe pohon. Ai bëhet i vetëdijshëm për personalitetin e tij pikërisht nëpërmjet zërit të ndërgjegjes morale. Natyra e tij shoqërore e bën atë të papërsëritshëm në qëndrimet e tij, autonom, të pavarur as nga politika dhe as nga ambienti që e rrethon. Analisti është subjekt i mendimeve të veta, i veprimeve e mosveprimeve dhe qëndrimeve të veta. Është kjo arsyeja që ai ka lirinë e vullnetit të tij që rrjedh nga fryma e tij shpirtërore, nga qëndrimi i tij i lirë dhe e bën atë në çdo rrethanë zotërues të vetvetes. Vetëvendosja dhe autonomia janë shenja dalluese të njeriut të përgjegjshëm. Analisti do ta meritonte këtë nocion kur ai është vetvetja, mendimet e tij janë brenda bërthamës personale dhe jo hije e të tjerëve, e aq më keq e sistemeve politike. Ai duhet të ecë me divizën e sociologut Jozef Hefner, që thotë: “Jam i dënuar të jem i lirë”. Si i tillë jep definicione për të sotmen dhe të ardhmen. Është pronë e intelektualëve, politikanëve, bashkësive e shtresave të zgjedhura.
Idetë e analistit në disa raste ngjajnë me horoskopin që për një shenjë ka disa opsione. Kërkohet që ata të jenë njerëzit që përfaqësojnë një realitet më prozaik, që gjithçka të vendoset në vendin e vet. Shohim që shpeshherë depersonalizohen dhe nuk personifikohen lehtë në qëndrimet e tyre mozaike. Ata e quajnë veten ekspertë të mendimit dhe gjykimit në shumë fusha të jetës. Nuk janë të rralla rastet që i shohim ata të shfaqen në ekranet televizive, në faqet e para të gazetave, revistave, në emisione speciale të radios, në takime e biseda të rëndësishme, duke vringëlluar armët si kalorës të fitores të betejave politike, shoqërore apo ekonomike. Bëjnë analiza dhe barazojnë vlerësimet e tyre me ekspertët më në zë të fushave teknike. Me një autoritarizëm butaforik kërkojnë të sfidojnë profesorë të sektorëve specialë, si në mjekësi, inxhinieri, arkitekturë, bujqësi etj., që vepra e tyre ka fituar të drejtën e qytetarisë dhe është e besueshme relativisht për të gjithë shtresat e shoqërisë. Në realitetin tonë të përditshëm, po ndeshim shpesh pjesëmarrjen e opinionistëve për çështje tejet teknike, si infrastruktura, ndërtime, apo investime, që flasin me kompetencë duke mos qenë të fushës dhe kjo vetëm se ata kanë arritur të vetëbesojnë, se fjala e tyre është bibla e gjykimit të një fuqie mbishoqërore që quhet opinionist, si të ishte një fuqi mbinatyrore që quhet Perëndi. Duke e tepruar në vetëbesimin e tyre, bëjnë sofizma të pakuptimta për t’u dukur madhështorë. Dija të jep pushtet të plotë mbi atë fushë që e zotëron esencialisht. Individët kanë veçoritë e tyre dalluese, por jo pambarimisht përjashtuese. Ata s’kanë në vetvete asnjë dilemë për të qenë të barabartë me të tjerët, e trajtojnë veten në këndshikimin e tyre si të pabarabartë me të tjerët. Mospërfillja, autokrenaria dhe mosrespektimi i vlerave të të tjerëve, krijon një tejskajshmëri, ku hendeku të çon në mungesë ekuilibri, midis folësit superior dhe dëgjuesit inferior. Barazia dhe respekti shoqëror, përputhet me legjitimitetin demokratik. Opinioni që shprehet nga një individ, qoftë dhe ekspert, s’është gjë tjetër, veçse një përgjigje që i jepet një pyetjeje, në një situatë konkrete. Dëgjuesi krijon respekt për folësin, jo nga pozat që merr, apo emri që lakohet, por nga shkalla e perceptimit të realitetit, transmetimi te publiku sa më saktë, me kulturë dhe vërtetësi bindëse, larg shtrembërimeve dhe keqinformimeve.
Audienca që ndjek opinionistët është e një niveli të lartë intelektual, të sferave politike, shoqërore e shkencore. Masa e thjeshtë e shikuesve apo lexuesve, nuk është e interesuar me tendenciozitet për analiza, thellime, zbulime e përfundime të karakterit filozofiko-politike. Ata janë të prirur më shumë për emisione kulturore-argëtuese, qofshin artistike apo sportive.
Analistët, kryesisht ndiqen nga elita e shoqërisë. Por kjo s’është kategorike, e ndarë me thikë. Ka edhe një hipotezë, se analistët do të zëvendësohen nga politikanët, që është tepër hipotetike. Por qarkullon një tezë tjetër më e pranueshme, që opinionistët përdoren dhe do të përdoren nga politikanët. Do të ishte e dobishme të përdoreshin njohuritë, por jo njerëzit. Kur janë vënë në partneritet opinionistët me politikanë, qofshin të majtë apo të djathtë, ata kanë shprehur preferencat e tyre.
Shumë opinionistë, kur dalin në ekran për çështje politike, para se të flasin, janë të lexueshëm, për shkallën e tyre të oportuniteteve sensuale. Në këtë rast, ata kthehen në shërbëtorë të partive të ndryshme, ose të shtetarëve për hir të interesave materiale apo karrigeve. Këtë profil tipik e ka të shprehur Artan Hoxha, që pa folur, merret vesh se çfarë do të thotë, se flet me gjuhën e tutorit që ia dikton mendimet. Krejt ndryshe janë Shpëtim Nazarko, apo Skënder Minxhozi, që kanë mendime të tyre të pavarura dhe lëvizin sa majtas-djathtas në fushën e opinioneve. Të parët e kanë humbur misionin e tyre të të qenët opinionistë. Ata janë kthyer në oportunistë, që i bëjnë tifozllëk sistemit politik, që e kanë si preferencial të tyre. Mendimi i tyre vërtitet në orbitën e më të dobishmit, apo më të fortit. Kjo tablo tregon se realitetit të egër të politikës nuk i shpëtojnë dot as qëndrimet parimore të opinionistëve.
Opinionistët duhen parë si qenie njerëzore, me të mirat dhe dobësitë e tyre. Fakti që secili individ është i lirë të zgjedhë sipas preferencave të veta, gjithçka është relative. Ai duhet të thellohet, të dallojë atë që është racionale, nga ajo që është e mirë. Ka disa opinionistë që krekosen si gjela, duke diktuar auditorët me autoritarizëm, se fjala e tyre është ligj. Dhe shkojnë edhe më tej. Japin receta, se ky apo ai lider politik, duhet të largohet nga skena politike, si të jenë shefa kuadri. Harrojnë se jemi në pluralizëm, ku qenien apo jo në politikë, se përfaqëson uni i njëshit, por vota e lirë demokratike e popullit.
Opinionistët janë të barabartë në fushën e të gjykuarit, por jo të të menduarit. Aristoteli thotë: “Nuk ka pabarazi, nëse të barabartët trajtohen në përpjesëtim me pabarazinë e tyre reciproke”.
Tregu intelektual i shoqërisë shqiptare, në vitet e pluralizmit, rriti një pemë gjigante, që ka prodhuar disa fruta të rrallë që quhen “opinionistë”, të cilët mesa duket nuk e kanë plotësuar ciklin e tyre biologjik, të pjekjes së plotë natyrale.
Top Channel