Një grup amerikanësh dhe shqiptarësh kanë hapur në Tiranë një lokal të ri por, mes qindra bareve dhe restoranteve të kryeqytetit, ky është më i veçanti prej tyre.
Jo vetëm sepse ofron një menu tipike amerikane, me “bagels”-at e famshëm. Ajo që e bën të veçantë “New York Tirana Bagels” është qëllimi për të cilin është ngritur ky biznes: të ndihmojë gratë dhe fëmijët në nevojë.
Por si? Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, i cili mori pjesë në inaugurimin e këtij biznesi, për ta promovuar atë mes shqiptarëve dhe amerikanëve, shpjegoi thjesht se si do të arrihet qëllimi për të ndihmuar gratë dhe fëmijët në nevojë.
“Një sipërmarrje e tillë është krijuar për të sjellë përfitime financiare, por gjithashtu, një biznes i tillë është krijuar që të ketë ndikim pozitiv në komunitet. Ose për të rritur drejtësinë sociale për gjëra nga të cilat përfitojnë qytetarët. Ajo që ne po inaugurojmë sot është një shembull i shkëlqyer, është një model i përsosur se çfarë është një biznes social. Të gjitha përfitimet nga ky biznes do të shkojnë për të ndihmuar gratë dhe fëmijët në nevojë”, tha ambasadori Arvizu.
Koncepti i biznesit social nuk është shumë i njohur në Shqipëri, por së fundmi, ai u promovua me vizitën e nobelistit për mikrokreditin, Muhamed Junus, duke synuar të përhapë edhe në Shqipëri këtë koncept, që u vjen në ndihmë njerëzve më të varfër, të cilët nuk kanë mundësi të marrin vetë një kredi për të hapur një biznes të vogël.
Top Channel