Të krijosh hapësirën tënde të gjelbër

21/05/2013 00:00

Për disa njerëz natyra është gjithçka. Ashtu si në rastin e Gëzim Muslikës, i cili ka lënë Tiranën për të ndërtuar një banesë në një prej fshatrave të afërt me kryeqyetin.

Kjo ngrehinë e ndërtuar me shumë dashuri është gjithashtu biznesi i tij, ku ka mishëruar në të pasionin për artin dhe kulinarinë. 50-vjeçari krijon receta shumë origjinale dhe për t’i ardhur në ndihmë fantazisë së tij, ka krijuar edhe një kopsht ku kultivon gjithçka mund të ofrojë stina. Që nga sallatrat e ndryshme, perimet, zarzavatet dhe të gjitha llojet e erëzave.

“Filimisht, gjatë kohës që u ndërtua shtëpia, e kisha të nevojshme të punoja dhe vetë. U interesova për fazat e mbjelljes, ruajtjes nga insektet etj.”

Natyra mund të ofrojë shumëçka nga bujaria e saj për këtë njeri, i cili të mirave të punës nuk u kursen mundin e tij: “Oborri është buzë lumit dhe i drejtuar nga dielli. Kjo gjë është shumë e favorshme.”

Është e jashtëzakonshme të përfytyrosh sesi ky zotëri e ndan kohën mes kuzhinës, detyrimeve të përditshme dhe punës së përkushtuar për rritjen e prodhimeve të tij: “Prodhimet kanë një shije të veçantë dhe kjo është arsyeja për të cilën merrem.”

Dhe përpos kënaqësisë që merr duke u kujdesur për kopshtarinë, me këtë ide Gëzimi ka ngritur edhe filozofinë e të bërit një biznes sa më të suksesshëm: “Kam përshtypjen se njerëzit e vlerësojnë të pasurit e një ekonomie ndihmëse në një kohë që u ofron ushqim të mirë.”

Kopsht në tarracë

Ana është mjeke pediatre. Por, pas punës, pasioni i saj më i madh është të kujdeset për kopshtin e saj, i cili është ndërtuar mbi tarracën e një pallati shumëkatësh.

E nëse e shkëput shikimin nga horizonti, bimësia dhe mënyra e ndërtimit të ambientit të bëjnë të ndihesh si në një oborr. Dhe pasionit për lulet, Ana ka vendosur t’i shtojë diçka tjetër. Për herë të parë sivjet ka provuar mbjelljen e disa farave zarzavatesh: “E nisëm thjesht me lule dekorimin, pastaj nisi ideja e limonit dhe duke e pare që limoni shfrytëzohet, thashë të mbillja edhe perime të tjera.”

Dhe ideja ka funskionuar më së miri. Edhe mbi beton kjo shtëpi ka mundur të shfrytëzojë më të mirat e natyrës: “Kujdesem shumë për lulet dhe limonin.”

Dhe tashmë jo pa rezultat. Përveç kënaqësisë për tu marrë me diçka ndryshe, familja do të ketë mundësinë për të shijuar disa prodhime të tarracës: “Mbollëm domate, kastraveca… donim prodhime bio.”

E meqë hapësira këtu në tarracë nuk mungon, Ana mendon që të shtojë kultivimin e zarzavateve vitin tjetër: “Po provojmë dhe të shohim nëse me kalimin e kohës mund të mbjellim zarzavate të tjera.”

Nuk duhet shumë për të bërë gjëra të mëdha. Mjafton dëshirë, durim dhe pak njohuri kultivimi dhe këto mund t’i mishëroni edhe në hapësirat e vogla ku jetoni.

Perime në vazo për një jetë sa më bio

Nuk nevojitet gjithmonë një tokë për të kultivuar. Mjafton të duash të kesh prodhimet e tua dhe këtë mund ta bësh kudo, edhe në vazot e luleve, ashtu siç ka bërë Mirela.

Ajo është e prirur drejt ushqimeve sa më bio dhe pavarësisht se ka një ballkon shumë të vogël, e ka shfrytëzuar makimalisht në funksion të kësaj ideje: “Fillimisht mbollëm në një vazo domate dhe pamë që eci mirë. Më pas vendosëm të mbillnim edhe speca e kastraveca.”

Dhe shumë shpejt kësaj ideje paksa të çuditshme për fqinjët dhe njerëzit përreth, familja ja pa të mirat: “Në verë na mbusht plot ballkoni dhe ka lezetin e vet kur ngrihesh në mëngjes dhe këput kastravecin apo domaten. Kanë një shije tjetër.”

Ballkoni ishte një provë se mund t’ia dilnin edhe për më shumë. Pavarësisht profesionit të saj të dentistes, i cili i merr tërë ditën, Mirela e mbështetur nga bashkëshorti, mori një vendim: “Menduam që të blinim një tokë ku të mbillnim atje edhe fruta.”

E kush nuk do të donte të hante prodhime të freskëta e të shëndetshme, që më të sigurta se kurrë vijnë nga duart e tua?

Dhe së shpejti drejt destinacionit të ri do të shkojnë edhe dy avokado, që përveçse të kultivuara jashtë gjeografisë së tyre, kanë lulëzuar në këtë ballkon: “Avokado është bimë ekzotike që nuk rritet në Shqipëri. U futa në internet dhe lexova se si mund ta mbillja. Haja avokadon dhe ruaja farën. I mbolla dhe tani ja ku janë dy avokado. Pres të zhvillohen dhe t’i çoj te toka.”

Dhe kështu u transferuan specat e parë, domatet, kastravecat, që filizat i hodhën rishtaz nëpër vazo.

Kjo sigurisht që nuk është toka e premtuar, por për këta dy njerëz është gjithçka për të pasur një jetë më me aktivitet dhe të shëndetshme.

Dhe bashkë me prodhimet u krijua edhe ideja e kësaj vilete druri, e cila do të jetë stacioni i ditëve të pushimit pas një jave të lodhshme, në natyrë dhe me ushqime bio.

Top Channel