Ilir Meta ka vijuar fushatën elektorale në Durrës, ku ka prezantuar ekipin e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Nga qyteti ku 22 vite më parë nisi ëndrra për një të ardhme evropiane, Meta u bëri thirrje qytetarëve t’i japin fund tranzicionit, duke larguar nga pushteti qeverinë e kryeministrit Berisha dhe zhbllokuar rrugëtimin drejt BE-së.

“Ishin motrat dhe vëllezërit tanë, të cilët në fillim të viteve ’90, morën rrugën e guximshme të eksodit, duke u varur edhe litarëve të anijeve, që u nisën nga Durrësi, sepse nuk u pajtuan me një realitet vrastar e të pashpirt. Ne sot kemi një detyrë më të lehtë. Pas 22 vitesh, ka ardhur koha t’i japim fund tranzicionit, ka ardhur koha për rotacion, sepse shqiptarët këtu, por edhe shumë të tjerë që duan të kthehen nga emigracioni, për të realizuar Shqipërinë Europiane, kërkojnë të ecin më shpejt drejt zhvillimit, punësimit, mirëqenies dhe integrimit. Ne do ta sjellim Europën në Durrës dhe gjithë Shqipërinë, duke larguar nga pushteti qeverinë, e cila nuk pranon kompromisin tonë për t’u afruar më shpejt me Europën”, u shpreh Ilir Meta.

Meta tha se shqiptarët nuk mund të gënjehen nga një qeveri që u premton ëndrrën amerikane me sy hapur, por që nuk ka aftësinë për të bërë realitet ëndrrën për një Shqipëri të zhvilluar. Lista e deputetëve të LSI-së në Durrës kryesohet nga deputeti Lefter Koka, ndërsa i dyti në listë është Edmond Panariti.

Top Channel