
Shtypi britanik i së dielës i bën jehonë faktit se ish-kryeministri Toni Bler do të ndihmojë qeverinë e ardhshme të Shqipërisë nëse fitojnë socialistët.
‘The Sunday Telegraph’ shkruan se Toni Bler ka rënë dakord të këshillojë qeverinë e ardhshme të Shqipërisë duke hapur rrugën për një marrëveshje e cila mund të jetë me një vlerë prej disa miliona stërlinash. “Edi Rama, udhëheqësi i opozitës socialiste, njoftoi javën e kaluar se z. Bler do të jetë konsulent duke filluar pas zgjedhjeve të ardhshme të cilat z. Rama pritet t’i fitojë”, shkruan gazeta britanike.
Roli i tij u ra dakord gjatë një takimi në zyren e tij në Londër. Shqipëria shpreson të hyjë në BE dhe ka mundësi që këshilla e z. Bler se si të mundësohet një gjë e tillë dhe se si të zbatohen reformat e partisë së tij Laburiste pritet të jenë në krye të axhendës. ‘The Sunday Telegraph’ shkruan të dielën se z. Rama është popullor dhe sondazhet tregojnë se ai pritet të fitojë rreth 49% të votës kombëtare dhe është brenda objektivit për të fituar zgjedhjet.
Emërimi i Toni Blerit pason marrëveshje të tilla fitimprurëse me qeveritë e Kazakistanit, Kuvajtit, Brazilit dhe Kolumbisë. Zyra e konsulencës së Toni Blerit është krijuar pasi ai u largua nga Dawning Street në 2007 dhe për të punojnë ndër të tjerë edhe Alister Kembëll, i cili sipas gazetës, ka negociuar marrëveshjen në shkurt kur ndodhej në Tiranë për promvimin e librit të tij.
Toni Bler ka kontrata të tilla konsulence si shumë udhëheqës të mëdhenj botërorë, të cilët angazhohen nga qeveri të ndryshme në mbarë botën. ‘The Sunday Telegraph’ shkruan se edhe pse popullariteti i Blerit ka rënë në Britani pas luftës në Irak, në Shqipëri dhe Kosovë ai konsiderohet hero pas ndihmës së dhënë gjatë luftës në Kosovë.
Top Channel