
Partia Demokratik prezantoi kandidatët për deputetë në Qarkun e Beratit. Kryeministri Sali Berisha premtoi për qytetarët e Beratit dhe Skraparit investime të tjera, ndërsa shprehu bindjen në marrjen e statusit brenda vitit.
Berisha ftoi qytetarët e gjithë qarkut të Beratit të votojnë kandidatët e koalicionit të djathtë, të cilët sipas tij, janë avokatët më të mirë për të ngritur zërin e tyre. Berisha sulmoi opozitën dhe liderin e saj, Edi Rama.
“Është normalet kritikosh qeverinë, por është anormale të vish në Berat dhe të deklarosh para qytetarëve se asnjë armik dhe pushtues nuk ju ka bërë ju atë që ju ka bërë kjo qeveri. Është e dhimbshme se kjo nuk vjen nga një spital psikiatrik, por nga lideri i opozitës që e di që Berati sot ka shumë halle, por është vend anëtar i NATO-s. Të thuash këto do thotë të udhëtosh në autobus me xhama të zi dhe të mos shohësh asgjë”, tha Berisha.
Berisha u shpreh i bindur se brenda vitit vendi do të marrë statusin e kandidatit, ndërsa këmbënguli në ndërmarrjen e reformave për të liberalizuar vizat me Shtetet e Bashkuara.
“Jam këtu për t’u zotuar se 4 vitet që vijnë do bëjmë për Beratin shumë herë më tepër se 4 vitet që shkuan. Do ndërtojmë boshtin e jugut dhe cdo kilometër rrugë në këtë qark, do ndërtojmë cdo shkollë, cdo spital, cdo poliklinikë. Brenda 1 viti do kemi në xhep pasaportën e statusit të vendit kandidat dhe bashkë do hapim negociatat me BE për anëtarësim të plotë. Do bëjmë cdo reformë për të miratuar liberalizimin e vizave me vendin mik më të shquar të shqiptarëve”, premtoi Berisha.
Top Channel