Për më shumë se 50 minuta kryevëzhguesja e ODIHR, Conny McCormack ka
zhvilluar takimin e saj të parë me shefin e delegacionit të BE-së në
Tiranë Ettore Sequi.

Menjëherë pas takimit zoti Sequi bëri një deklaratë për median ku ai vlerësoi CV-në e zonjës McCormack. Gjithashtu zoti Sequi tha se BE-nuk është pjesë e asnjë negociate për të zgjidhur problemet që kanë lindur me KQZ-në.

“Patëm një takim shumë të mirë me shefen e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it . Më bëri shumë përshtypje përvoja dhe angazhimi i saj. Gjatë bashkëbisedimit theksova mbështetjen e fortë që i jep BE-ja këtij misioni. Kjo është pjesë e angazhimit të delegacionit të BE-së për pasjen  e zgjedhjeve me kualitet dhe sipas standarteve europiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh ambasadori.

Sequi anoncoi ardhjen në Shqipëri të një grupi vëzhguesish nga BE-ja.

“Ne kemi përcaktuar fondet e nevojshme për të mbështetur 32 vëzhgues afat shkurtër dhe 6 vëzhgues afatgjatë. Kjo është një mbështetje konkrete e cila realizohet me paratë e takspaguesve europianë, pasi BE i kushton një rëndësi tepër të veçantë procesit zgjedhor. Me anë të këtij përkushtimi dhe mbështetje duam të ushqejmë frymën e mirë për këto zgjedhje”, tha Sequi.

Top Channel e pyeti ambasadorin Sequi rreth përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë dhe vetë BE-së, për të zgjidhur ngërçin ku ka hyrë KQZ pas dorëheqjes së tre antarëve.

“Mund t’ju them dicka të thjeshtë. Ne nuk jemi pjesë e negociatave . Gjithsesi ne jemi shprehur për KQZ-në pasi është një shtyllë shumë e fortë e procesit zgjedhor.Deklarata potenciale të mëtejshme për këtë çështje nuk do të mungojnë”, tha Sequi.

Megjithatë prej nje muaji ne Shqiperi ndodhet eksperti i Komisionit te Venecias per zgjedhjet, Vulçanov, I therritur nga Zyra e Komisionit Europian ne Tirane nje dite pas shkarkimit te anetarit Ilirian Muho. Ndërkohë që kryevëzhguesja e ODIHR McCormak e ka bërë të qartë pozicionin e këtij misioni duke u rezervuar të komentojë zhvillimet që lidhen me KQZ-në, raporti i ndërmjetëm i  ODIHR pas rreth dy javësh pritet t’i kushtojë një hapësirë të zgjeruar këtij institucioni.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta