Eurodeputeti i majtë gjerman, Knut Fleckenstein thekson shqetësimin e Parlamentit Europian në lidhje me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Pas takimit të kësaj jave mes grupimit të majtë në PE me kreun e PS Edi Rama, në një intervistë për TCH, Fleckenstein ndan përshtypjet për debatin dhe shqetësimet për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.

“Edi Rama mbajti një fjalim tejet të fuqishëm në Parlamentin Europian. Ai theksoi ato që i konsideron si të domosdoshme për t’u ndryshuar në aspektin ekonomik, në mënyrën e organizimit të shtetit, me qëllim përafrimin me Bashkimin Europian”, deklaron Fleckenstein.

Ai shfaq gjithashtu edhe disa pika të forta se çfarë pret nga ana jonë: që ne të tregohemi të arsyeshëm nga njëra anë, por dhe të besueshëm, në mënyrë që hapi tjetër për në BE të vijë vërtet nëse kushtet përmbushen e që ne të mos shtojmë vazhdimisht gjëra të tjera.

“Shqetësimi ynë më i madh, e jo veç në grupin socialdemokrat por dhe ne grupin e djathtë, PPE, është se çfarë do të bëhet me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe se a do të bëhen vërtet zgjedhje të lira e të ndershme në qershor në Shqipëri. Kjo është një prej dëshmive që duhet të japë vendi, qeveria, për të treguar se është me të vërtetë në rrugën drejt Bashkimit Europian. Kemi pak frikë pasi lufta për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve nuk na bën të besojmë se gjithçka po shkon mirë me këto zgjedhje”, thekson Fleckenstein.

TCH: Pse s’mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me KQZ-në aktuale?

Fleckenstein: “Unë mendoj se pika më e rëndësishme është që partitë të arrijnë marrëveshje për anëtarët e këtij Komisioni, e jo që ata të jenë vetëm të njërës palë. Ata duhet të jenë të pavarur, një komision i pavarur që kujdeset për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. E këtu çështja nuk qëndron se kush është mazhoranca në këto momente e kush është kryeministri tani. Duhet të jetë me të vërtetë i pavarur, e mendoj se një nga gjërat më të rëndësishme është që të arrihet një marrëveshje mes partive për anëtarët që duhet të përbëjnë këtë komision”.

TCH: A do të monitorojë PE Shqipërinë gjatë këtyre  zgjedhjeve?

Fleckenstein: “Mendoj se ende nuk është vendosur se në ç‘mënyrë do të bëhet kjo. Di që anëtarë të Parlamentit do të vizitojnë Shqipërinë para mbajtjes së zgjedhjeve, jo vetëm nga grupi im por edhe nga PPE. Por sot nuk di t’ju them nëse do të shkohet posaçërisht për zgjedhjet. Por unë do t’i kërkoj fuqimisht këtij parlamenti që ta bëjë këtë sepse ne duhet të sigurohemi që në Shqipëri ka zgjedhje të lira, demokratike, e të organizuara mirë. Përndryshe afrimi me Bashkimin Europian nuk do të jetë i lehtë dhe shpresoj që zoti Berisha e di mirë këtë gjë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA