Pothuajse të gjithëve i ndodh që të porosisin ushqim në shtëpi nëpërmjet telefonit një herë në disa kohë, por në Nju Jork, shërbimi “taxi” është në gjendje të përfshijë edhe substancat narkotike.
Ishte rrjeti “CNN”, ai i cili informoi të premten se kjo praktikë e pazakontë u demaskua nga agjentët e maskuar të policisë, që arrestuan në flagrancë shpërndarësin e substancave.
Trafikuesi, realisht një shpërndarës picash, kishte krijuar një rrjet të tijin paralel, duke i ofruar klientëve mundësinë e dërgesave në shtëpi të dozave të kokainës apo marijuanës.
Klientët, në fillim duhet të porosnin një picë pranë picerisë ku 45-vjeçari Ramon Rodriguez ishte i punësuar, duke telefonuar paralelisht shpërndarësit, për t’i kërkuar edhe dozën e dëshiruar.
Nga kjo praktikë, Rodriguez kishte grumbulluar një pasuri personale prej të paktën 45 mijë dollarësh.
Megjithatë, fati i tij i mirë mori fund, kur agjentë të maskuar të policisë i kërkuan që t’i dërgonte atyre në shtëpi doza kokaine.
Në vend të marrjes së parave mbrapsht për shpërndarjen e realizuar, Rodriguezit iu vendosën prangat, duke i dhënë fund kësaj praktike fitimprurëse.
Top Channel