Raportuesi i Këshillit të Europës për Shqipërinë, Jonathan Evans, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, tha se të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të garantuar funksionimin e pavarur të KQZ-së, në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
“Mendoj se dihet gjerësisht, që vet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka një rol themelor, në garantimin e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta. Prandaj, të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të punuar, në një mënyrë që garanton faktin, që KQZ-ja të kryejë funksionet e saj në mënyrë pavarur dhe që rezultatet e zgjedhjeve, kur të vijë momenti, të jenë të lira, të drejta dhe të pranueshme nga populli. Unë e di që ka persona, që kanë shprehur gjykimin e tyre, nëse këto ndryshime duhet të kishin ndodhur dhe nëse duhet të bëhen vërejtje ndaj partive politike, duke sugjeruar se çfarë duhet të bëjnë partitë, por nuk na takon ne të bëjmë sugjerime të tilla”, tha Evans.
Kriza në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sipas Evans, lidhet me pranimin ose jo të rezultatit të zgjedhjeve.
“Mendoj se kriza e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka të bëjë pikërisht me çështjen thelbësore të pranimit ose jo të rezultatit, nga ana e partive politike. Kjo është shumë e rëndësishme, sidomos duke pasur parasysh historinë në Shqipëri. Siç e dini, pas zgjedhjeve të fundit, një nga partitë politike kryesore refuzoi të zinte vendet e saj në parlament, për shkak të mosnjohjes së rezultatit të zgjedhjeve. Duhet thënë gjithashtu, se këto janë zgjedhje të një rëndësie vendimtare për Shqipërinë, sa i përket të ardhmes së saj europiane”, shtoi më tej Evans.
Evans thotë se mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve lidhet edhe me vazhdimin ose jo të procedurës së monitorimit nga Këshilli i Europës.
“Mendoj se është diçka shumë themelore, që ky të jetë një proces i pranueshëm, një proces që përmbush standardet ndërkombëtare dhe standardet që kemi ne, në Këshillin e Europës, për mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo është e rëndësishme, jo vetëm për vazhdimin ose jo të procedurës së monitorimit, nga ana e Këshillit të Europës, por edhe për faktin nëse Shqipëria do të përparojë më tej në udhëtimin e saj drejt statusit të vendit kandidat të BE-së. Këtë e ka bërë të qartë dhe vetë Komisioni Europian”, theksoi Evans.
Evans mendon se udhëtimi drejt statusit kandidat nuk mund të ecë më tej, ndërkohë që Këshilli i Europës vazhdon procedurën e monitorimit.
“Mendoj se kisha të drejtë, kur thashë se është e pakonceptueshme, që udhëtimi drejt statusit kandidat të mund të përparojë, ndërkohë që Këshilli i Europës vazhdon, në një farë mënyre, procedurën e monitorimit. Pra, kjo është diçka e vërtetë. Ju më pyetët gjithashtu, nëse ne do të vazhdojmë procedurën e monitorimit”, përfundoi Evans.
Një javë pas vizitës në Shqipëri, Evans raportoi në Komitetin Monitorues të Këshillit, në Strasburg, në lidhje me përgatitjen e Shqipërisë për zgjedhjet e 23 qershorit, si dhe mbi ecurinë e përgjithshme të vendit.
Top Channel