Nga rruga Berat-Çorovodë, kreu i LSI Ilir Meta ka denoncuar atë që e quajti demagogji e kryeministrit Berisha me ndërtimin e rrugëve.
Ky aks vetëm tre km, ka tetë vjet i tillë, tha ai, megjithë presionin që sipas tij LSI ka bërë kur ishte pjesë e qeverisë Berisha. “Gjatësia e shiritave të prerë të Berishës është më e gjatë sesa rrugët që ka ndërtuar”, deklaroi me ironi Meta.
Ndërsa në njësinë bashkiake numër një, Meta deklaroi se punësimi është objektivi madhor i LSI-së. “Do t’u japim mbështjetje fasonëve dhe bizneseve të shërbimit, veçanërisht për punësimin e grave”, tha Meta.
Topi në Lezhë: Vendimtarë për qeverinë e re
Nga takimet me banorët e Lezhës, kryeari i FRD-së Bamir Topi përsëriti bindjen se rezultati i kësaj partie do të jetë kusht për krijimin e qeverisë së pas 23 qershorit.
Ai iu bëri apel qytetarëve që të ndëshkojnë me votë këtë qeveri të korruptuar dhe të garantojnë rotacionin.
“Ky kryeministër që po e përjeton kaq keq largimin nga pushteti pasi ka bërë prona të tij pronat publike, ka bërë shtetin e tij dhe ka privatizuar dhe popullin”, deklaroi Topi.
Idrizi: Trajtim të barabartë të gjitha zonave
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi denoncoi trajtimin jo të barabartë të të gjitha zonave në vend, duke marrë si shembull për këtë Beratin.
Ai bëri propozimin për ngritjen e një komiteti shqiptar të diasporës dhe emigracionit, për t’u kthyer më pas në ministri të posaçme për këto kategori. “Ne do ta bëjmë këtë sepse ne jemi për Shqipërinë e bashkuar”, tha Idrizi.
Mediu: Ekspertë evropianë për pronat
Në një takim me shoqatat e pronarëve, “Pronësi dhe Drejtësi dhe “Bregdeti”, Fatmir Mediu tha se propozimi ligjor i republikanëve për kthimin e pronave në bregdet u mbështet dhe u siglua vetëm nga kjo forcë politike dhe ende pret shqyrtimin në Kuvend.
“Ne do të kërkojmë ndihmën e Komisionit Europian për të sjellë ekspertë për legjislacionin për pronat”, deklaroi Mediu.
Malaj i përgjigjet Shpëtim Gjikës
Kandidati i pavarur Arben Malaj përpara medias në qytetin e Vlorës, ku edhe garon, garantoi se fushata e tij do të jetë pozitive dhe votat që do të marrë nuk do t’i shërbejnë si edhe në asnjë rast tjetër, Sali Berishës.
Në këtë mënyrë Malaj iu përgjigj shqetësimit të kreut të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili një ditë më parë i bëri thirrje të terhiqet për të mos përçare votën e vlonjatëve.
“Shpëtim Gjika nuk arriti të sigurojë asnjë deputet të Vlorës të ishte në listë. Vota ime do të jetë për vlonjatët dhe jo për Sali Berishën. E kam treguar këtë në këto 22 vjet”, replikoi Malaj.
Milo: Do t’i kthejmë Vlorës dinjitetin
Në një takim me mbështetës në qytetin e Vlorës, kreu i PDS-së, Paskal Milo deklaroi se qeverisja e majtë jo vetem do të ndalë denigrimin e deritanishëm që kjo qeveri i ka bërë qytetit të Pavarësisë, por do t’i kthejë qytetit bregdetar shkëlqimin e merituar.
“Do t’i kthejmë Vlorës jo vetëm investimet e munguara në infrastrukturë, por edhe në arsim e kulturë”, deklaroi Milo.
Balli Kombëtar me të rinjtë në Elbasan
Kreu i PBKD, Artur Roshi, në një takim me të rinjtë e Elbasanit, vlerësoi atë që e quajti vijimin e idealeve të Mit’hat Frashërit nga të rinjtë e kësaj partie, duke mos u diktuar nga interesa të vogla të momentit.
“Ne s’jemi kundër interesave partiake kur ato janë në unison me zhvillimin e vendit”, deklaroi Roshi.
Top Channel