Veprimtaria e Kuvendit 1920-1940

16/05/2013 00:00

Kuvendi i Shqipërisë ka botuar një kolanë unike, që nëpërmjet 46 vëllimeve, nxjerr në dritë veprimtarinë e shtetit shqiptar në periudhen 1920-1940.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e nisi këtë projekt 3 vite më parë, e vlerëson këtë kolanë një shërbim të cmuar për të shkuarën dhe të ardhmen e shtetit shqiptar.

“Ia kemi detyrim madhor historisë për mohimin vrastar që iu bë kombit tonë për 45 vite me radhë nga diktatura komuniste për të fshirë këtë faqe të ndritur të parlamentarizmit shqiptar. Njëherësh është edhe një mundësi unike për të rinjtë të njohin dhe të vlerësojne etërit dhe elitat e kombit”, tha kryetarja e Kuvendit.

Kolana me 46 vëllime përmban fjalime, vendime dhe ligje të nxjerra gjatë dy dekadave, kur shteti shqiptar megjithëse ishte në fillimet e tij, kishte të qartë cfarë drejtimi duhet të merrte Shqipëria.

“Ato janë leksione të shkëlqyera për ligjërimin poltik, lirinë, tolerancën, vlerat, besimin dhe ideologjinë kombëtare. Me vokacionin  e tyre perëndimor, parlamentarët e këtij 20-vjecari këmbëngulen që identiteti europian i shqiptarëve të orientohej nga iluminizmi europian”, tha Topalli.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli thotë se është kujdesur që kolana me 46 vëllime dhe me 24 mijë faqe, të pasqyrojë me besnikëri origjinalitetin e cdo vendimi dhe cdo fjalimi që është gjetur e shpërndarë në Bibliotekën e Kuvendit, në Arkivën e Shtetit dhe në bibliotekat e tjera të vendit.

“Gjithkush do të krenohej me nuhtjen, me largpamësinë me vizionin, me oratorinë e Fan Nolit, të Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Mithat Frashërit, Patër Anton Harapin, në gojën e të cilëve fjala shqipe tingëllon e gjithëpushtetshme”, deklaroi Topalli.

Në këtë atmosferë fushate elektorale, kryetarja e Kuvendit premtoi se brenda dy viteve të ardhshëm, parlamenti i Shqipërisë do të plotësojë të gjithë periudhën e mbetur të shtetit shqiptar, për të cilën puna ka nisur disa muaj më parë.

Top Channel