“Top Story”, zgjedhjet, aleatët dhe të pavarurit

16/05/2013 00:00

Vetëm një javë pas hapjes thuajse zyrtare tashmë të fushatës elektorale për zgjedhjet historike të 23 qershorit, pavarësisht fituesit, është e sigurt që do të kemi të bëjmë me një precedent historik në historinë e pluralizmit shqiptar.

Kjo sepse një parti, për herë të parë do të fitojë mandatin e tretë radhazi ose sepse e djathta, për herë të parë do të braktisë pushtetin me votë.

E ndërsa listat janë publikuar që prej 2-3 javësh, debatet ndërkohë vazhdojnë, sepse janë aleatët e vegjël ata që duken të prerë në besë. Pikërisht për të folur për këtë, sa ndikim kanë këta aleatë dhe çfarë dëmi mund t’i shkaktojnë koalicioneve të mëdha të pavarurit dhe aleatët e pakënaqur, Sokol Balla grumbulloi në emisionin e tij të përjavshëm politik, “Top-Story”, një grup politikanësh, analistësh dhe ekspertësh me një kontakt direkt me këtë problematikë.

Për të biseduar për të gjitha këto, në studiot e “Top-Channel” mbërriti kryetari i Bashkisë së Durrësit e një prej hartuesve kryesorë të listave të Partisë Socialiste, zoti Vangjush Dako.

Njëkohësisht, i pranishëm ishte Paskal Milo, kryetari i Demokracisë Sociale, që së fundmi ka shprehur një zë proteste ndaj aleatëve socialistë si dhe zëri i protestës kudo që ndodhet, babai i gazetarisë shqiptare e kryetari i Lëvizjes Demokraciste, Nikollë Lesi.

Kompletuan panelin anëtari i dorëhequr i KQZ-së, Denar Biba, sekretari politik i dorëhequr i FRD-së, Afrim Krasniqi dhe specialisti i shifrave, analisti i pavarur Eduard Zaloshnja.

Milo: Pakënaqësitë e mia ndaj Partisë Socialiste

I pari që mori fjalën në studio, zoti Paskal Milo, shpjegoi përpara publikut mosdakordësitë që ka shfaqur ndaj aleatit të tij të madh, Partisë Socialiste së fundmi. “Ka disa arsye që ne i mbajmë pakënaqësitë në nivelin modest të artikulimit në media, pasi nuk është kryesorja tani të shfaqim pakënaqësitë personale, por objektivi madhor është fitorja e madhe e koalicionit. Por, ka momente që pakujdesia apo gara e pakontrolluar që po zhvillohet, ka disa individë që shkojnë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit që duhet të karakterizojë një koalicion. Këta shkojnë tek elektorati dhe bëjnë thirrje që të mos votohen partitë aleate, ndaj me të drejtë kam shtruar pyetjen, në qoftë se ju do të bëni thirrje që të mos votohen aleatët, atëherë çkuptim ka që jemi aleatë?”.

”Kujt do t’i shërbente një frymë e tillë konfrontimi, përveçse kundërshtarit tonë politik? Ky shqetësim i imi që është bërë prezent tek drejtuesit e PS nuk ka gjetur zgjidhje dhe gjej në mënyrë të përsëritur përfaqësues të PS që bëjnë thirrje ndaj aleatëve të tyre tradicionalë”, vazhdoi arsyetimin e tij kryetari i Demokracisë Sociale.

“Problemi i dytë, ka qenë pa dyshim një marrëveshje xhentëlmenësh që patëm me kryetarin e PS, për mbi një vit. Kur kemi marrë disa herë siguri që përkundrejt një aleancë shumëvjeçare, përkundrejt një kodi zgjedhor penalizues do të kishim avantazhet tona, përse përkundrejt të gjithë qëndrimeve konstruktive ne duhet të penalizohemi në fund dhe në vend të premtimit që na u bë, na vihen kushte apo vijnë e vendosen në listën e PS përfaqësues të partive të tjera që as kanë qenë aleate, por përkundrazi, kanë qenë kundër tyre. Ne na tha që nuk do të ketë asnjë përfaqësues të partive të tjera, e kur marrim vesh që pasi mbyllëm negociatat në listën e PS futen dy përfaqësues, pa dyshim që ne aleatët tradicionalë nuk mund të mos revoltohemi”, shtoi Milo, i cili zbuloi për herë të parë në “Top-Story” edhe ofertën konkrete që i kishte bërë zoti Rama, i cili i propozoi të shkrinte partinë dhe të bashkohej me strukturat e PS-së, në këmbim të një vendi të sigurt në listat e PS-së. Diçka e tillë, sipas Milos ishte e papraneushme, duke parë parasysh elektoratin, bashkëpunëtorët dhe investimin e tij personal në drejtimin e PDS-së.

Dako: Lista e PS, çdo aleat peshohet me peshën e tij reale

Përballë pakënaqësive të shprehura prej zotit Milo, çudisë së artikuluar nga Lesi për mosprezecën e Gjinishit e Milos në lista dhe faktit të përfshirjes në to të dy emrave të lidhur me partitë e tjera, si Braho i LSI-së dhe Marto i PBDNJ-shit, “avokatinë” e koalicionit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” e bëri në studio kryebashkiaku i Durrësit, Dako, i cili theksoi se qëllimi i PS është që të gjithë aleatët të vlerësohen për elektoratin e tyre real që kanë. “Nuk duhet të biem pre e këtyre konstimeve keqinformuese. Nuk është e vërtetë ky konstatim dhe në rastin e Brahos nuk është e njëjta gjë. Ky lloj sistemi kërkon një koalicion më te gjerë për të fituar, ndërsa i jep mundësi partive të vogla që me përgjysmim të numrit të votave, të fitojnë një deputet. PDS është brenda koalicionit dhe aleate, por duhet të peshohet me votën e saj”, tha Dako.

“Ka ikur koha e sistemit të Dushkut, kur PS bënte thirrje për votim të partive aleate. Përse duhet të fusim në listë emra të tjerë? Partitë e vogla duhet të dalin në terren, të grumbullojnë vota dhe të përfitojnë nga përgjysmimi i kuotës për të nxjerrë deputet kur je në koalicion. Përsa i përket shqetësimit të Brahos, nuk është e njëjta specifikë, pasi ai është një pjesë e hershme e Partisë Socialiste, ndërsa Zoti Marto nuk e di që është pjesë e një partie tjetër, përveç PS. Unë nuk e di që është i PBDNJ-së, megjithatë e njoh personalisht e kam respekt për të, e jam i sigurt që do të kontribuojë shumë në Qarkun e Vlorës për të thithur edhe vota minoritare për koalicionin tonë”, shtoi kryebashkiaku.

Në një koment për kampin rival dhe taktikën e përdorur nga zoti Berisha, që ka përfshirë në koalicionin e tij për Mirëqënie, Punësim dhe Integrim, një numër kryetarësh të partive të vogla aleate, Dako komentoi: “Ajo që ka bërë PD është qoka. Vendosja e këtyre kryetarëve të partive është në fakt një shkrirje e plotë e partive të tyre me PD, një mburojë për të dalë në pension në Parlament. Kjo është një ndër zgjidhjet më të këqija që ne mund t’i ofrojmë publikut, pasi partitë duhet të peshohen sa vlejnë dhe jo të ballafaqohen me qytetarët. Me këtë metodë dhe këtë kërkesë, siç thashë, këta kryetarë nuk prodhojnë vota e duan vetëm një strehë për të dalë në pension”.

Biba: Sistemi zhduk partitë e vogla apo i shtyn në “konfederata” të mëdha

Duke analizuar këtë sistem zgjedhor, kryetari i dorëhequr i KQZ-së, Denar Biba, tha: “Partitë duhet të thellohen më shumë në sistemin që kanë përshtatur, pasi tani politikanët duhet të interpretojnë sa më mirë realitetin në konjukturat e ligjit, që detyrojnë edhe ndonjë marrje e pritje. A lejohet që kryetarët e partive të kandidojnë në listat e tjera? Nuk ka asnjë pengesë ligjore, por me gjithë respektin absolut moral për vendimin e profesorit Milo, për t’i qëndruar historisë së partisë së tij e për t’i qëndruar besnikë bashkëpunëtorëve të tij të partisë përkatëse, kam përshtypjen se nuk e ka parë afatgjatë ku do ta çojë sistemi, pasi në përgjithësi këto sisteme, në një mënyrë apo tjetër detyrojnë partitë e vogla drejt zhdukjes apo konfederatave të mëdha”.

Zaloshnja: Votohet për koalicion, shkrirja e partive të vogla apo konkurrimi më vete brenda koalicionit nuk ndryshon asgjë

Në një analizë të kujdesshme të fakteve të deritanishme dhe duke u lënë mënjanë aspektin moral e politik, Zaloshnja theksoi: “Duke e parë pikëpamjen e pastër elektorale, nga kjo pikëpamje, nuk ka ndonëj diferencë nëse do shkriheshin partitë e vogla apo jo, pasi nuk do të kishte rrjedhje votash, qoftë për koalicionin e djathtë, si për atë të majtë. Ajo që ka bërë Berisha është shkrirje partie, përderisa kryetarët janë në listën e PD. Por, edhe nëse kjo shkrirje do të ishte bërë zyrtarisht dhe këta do të ishin në listat e PS, efekti elektoral do të ishte i njëjtë, përveçse ekipi që do të dilte në Kuvend do të ishte më shumë njerëz që kanë një histori të gjatë politike. Në Qarkun X, përshembull, ka pak rëndësi nëse dikush do të jetë i pari ta zëmë në listën e PSD-së apo i 16-ti në atë të PS-së, pasi votat shkojnë të gjitha për koalicionin”.

Krasniqi: Proporcionali kombëtar, i vetmi që reflekton peshën reale të partive të vogla në Parlament

Një ndër të “pakënaqurit” e mëdhenj dhe surprizat e këtyre listeve, ishte ajo e Afrim Krasniqit, sekretarit politik të FRD-së, që dha dorëheqjen pas mosmarrëveshjeve brenda partisë për këto lista. “ PS e PD kanë bërë një kod që kanë deformuar sistemin, kanë ngritur gracka zgjedhore duke detyruar partitë e vogla që të bashkangjiten ose të shuhen. Nëse i themi publikut le t’i votojmë me proporcional të hapur në të gjithë Shqipërinë, në zgjedhjet e kaluara, partia e çamëve, me 4 800 vota mori një mandat, ndërsa Gjinushi me 27 mijë vota nuk mori mandat, teksa i çoi tre mandate të tilla PS. Një listë proporcionale kombëtare, do të kishte korrigjuar këtë problem, duke i çuar votat atje ku i ka hedhur elektorati”.

Lesi: PD më mashtroi

Kryetari i Lëvizjes Demokristiane, Nikollë Lesi, ashtu sikundër deklaroi menjëherë pas zyrtarizimit të listave për deputetë, ku në listën emërore të kandidatëve të Partisë Demokratike ishin përfshirë emrat e aleatëve të vegjël të kësaj force politike, tha se ishte ndjerë i mashtruar nga ky vendim. Vendimi, tha ai, shkeli kontratën dhe marrëveshjen e arritur mes LDK-së dhe PD-së.

“Kontrata e LDK për Partinë Demokratike ishte që asnjë kryetar i partive të vogla nuk do ishte ne listën e PD. Pasi firmosa thashë me mirëbesim që ishte një marrëveshje e shkëlqyer. Por nuk u bë sepse fakti është që shumica e kryetarëve të partive të vogla të djathta u futën në listën e PD. U shkrinë partitë sepse kryetarët e këtyre partive nesër në Kuvend janë deputetë të PD që nuk mund të krijojnë grup parlamentar. Ky ishte një mashtrim i Partisë Demokratike”, deklaroi Lesi.

Lesi, i cili ka vendosur emrin i pari në listën e partisë së tij në qarkun e Tiranës, shprehu besimin se do të mund të sigurojë mandatin e deputetit më 23 qershor. Ai kritikoi kryetarët e partive të tjera të vogla të djathta që janë futur në listat e PD-së duke i quajtur ata frikacakë: “Gjithë kryetarët e tjerë të partive të vogla kishin frikë se nuk do merrnin mandatin dhe u strehuan në listat e PD. Por kjo mënyrë që bëri PD nuk sjell vota, sepse ata janë të rënditur në zonën e sigurtë. Unë erdha kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës në krye të LDK-së. Unë mendoj që Berisha ka bërë llogari se nga të gjithë kryetarët e partive, asnjë nuk e fitonte Tiranën në krye të listave të tyre. Besoj nga gjithë këta kandidatët e partive të vogla të djathta asnjë nuk më konkuronte, përvec ndoshta Dashamir Shehit. Unë do të marr mandatin në Tiranë pa asnjë diskutim dhe do jem krenar që nuk do të çohem në Kuvend si deputet i PD-së”, tha zoti Lesi.

Milo: Kodi duhet të ndryshohet

Kreu i PDS-së, Paskal Milo u ndal tek Kodi Zgjedhor dhe bisedimet me Partinë Socialiste për korigjimin e tij. Ai tha se PS mbështeti publikisht kërkesën e partive të vogla, kërkesë që nga ana e PD-së nuk u mbështet as publikisht: “Në tetor kemi miratuar një dokument të përbashkët për domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor. PS publikisht ka mbështetur ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe vendosjen e elementit të korrektimit kombëtar. PS e dha një mbështetje publike për këtë, ndërsa PD nuk bëri as në deklarata publike. Sistemi që kemi ka vërejtje nga të gjitha partitë dhe duhet të korigjohet, por natyrisht sot nuk bëhet, por do të bëhet më vonë”, deklaroi Milo.
 
Ndërkohë, ish-sekretari politik i FRD-së, Afrim Krasniqi kritikoi dy partitë e mëdha të cilat sipas tij, me listat e paraqitura para shqiptarëve të kandidatëve për deputetë, nuk kanë zbatuar as statutet e tyre: “Si PD dhe PS nuk respektuan statutet, kushtetutat e tyre të brendshme që thonë se kandidatët për deputetë propozohen nga baza dhe votohen nga asambletë mbi parimin një anëtar, një votë. Pra partitë nuk respektojnë kushtetutën e vet, kush më garanton mua se nesër në pushtet do respektojnë Kushtetutën e vendit, të menaxhojnë taksat, të drejtojnë gjithë shtetin tonë? Sot shqiptarët me përjashtim të të zgjedhurve lokalë, praktikisht nuk vendosin për asgjë tjetër. Për ta vendosin kryetarët e partive që i detyrojnë të votojnë për emrat e propozuar prej tyre. Kjo s’është demokraci”, u shpreh ai.

“Kuvendi më i dobët po vjen”

Në një koment, Nikollë Lesi e cilësoi kuvendin aktual si më të dobtin në historinë e paralmentarizmit shqiptar, por paralajmëroi se i riu që do të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të jetë akoma më i dobët:  “Paralmenti që po ikën është parlamenti më i dobët që kemi patur, por ky që po vjen, sepse dihen 90 përqind e deputetëve, është akoma më i dobët”, tha ai.

“Të pavarurit të tërhiqen”

Drejtuesit e degës lokale të PS-së në Vlorë të enjten i drejtuan një thirrje publike kandidatit të pavarur Arben Malaj dhe kandidatëve të tjerë që të tërhiqen nga ky vendim. Të njëjtin mesazh dërgoi edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit dhe anëtar i Asamblesë së PS-së, Vangjush Dako. Dako tha se kandidimet e pavarura s’bëjnë gjë tjetër vecse kontribuojnë në mundësitë e mbajtjes së Berishës në pushtet: “Në asamble u morën disa vendime të rëndësishme dhe ramë dakort që të përligjej strategjia. Në momentin që njerëzit që nuk u vendosën në lista, dolën kundër kësaj strategjie. Malaj pas kësaj tha se do të kandidojë si i pavarur dhe iu drejtua zotit Rama që do të përfundonte si Papandreu. Mua kjo përgjigje nuk më pëlqeu. Po ashtu Isaraj nuk u përfshi në listë, por deklaroi mbështetjen e tij për PS si socialist. Me këto lista Rama ka treguar se do të drejtojë PS dhe qeverinë e ardhshme me dorë të hekurt. S’ka më kohë të nanoizmit. Zoti Malaj bën mirë që të tërhiqet së bashku me zotin Duka sepse i shërbejnë plotësisht qendrimit të Berishës në pushtet”, deklaroi Dako.

“Basti” Lesi-Dako

Fundi i debatit u shoqërua me bastin mes Nikollë Lesit dhe kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Dako deklaroi se opozita më 23 qershor merr të paktën 77 mandate, ndërsa Lesi tha se palët janë në balancë. Kreu i LDK-së propozoi që nëse opozita do të merrte 77 mandate, ai do të pastronte plazhin e Durrësit për dy muaj me radhë pa pagesë, ndërsa nëse merrte 70-72 mandate, Dako do të transportonte mbi shpinë Lesin nga Sheshi Nënë Tereza deri tek Stacioni i Trenit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA