Kryetari socialist i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe drejtues të tjerë të Partisë Socialiste në këtë qark, i bënë thirrje kandidatit të pavarur Arben Malaj, që të heqë dorë nga kandidimi i tij i vetëm në zgjedhje pasi kjo mund të shfrytëzohet prej Sali Berishës për të justifikuar vjedhjen e votës.

Zoti Gjika  tha se kandidimi i Malajt është i gabuar dhe krejtësisht politik. Ai shtoi kandidimi i Malajt, sikurse ai i zotit Prifti dhe veprimet e Kastriot Islamit, janë një përpjekje e kryeministrit Berisha që të përdorë vjedhjen e votave nën mbulesën e përcarjes së opozitës.

“Gjatë këtyre ditëve, zoti Malaj flet si vlonjat dhe në emër të vlonjatëve duke dashur të përligjë qendrimin e tij prej opozitari të opozitës me temperamentin e labit të inatosur. Ne do t’ia pranonim qejfmbetjen e parë zotit Malaj, tek e fundit ishte mësuar të ishte për një kohë të gjatë në radhët e para, madje edhe kur stononte me zërin e arsyeshëm të shumicës së PS. Si kandidimi i zotit Malaj, i zotit Prifti ashtu edhe hedhja në prehërin e Berishës i Islamit dhe të tjerëve janë për mendimin tonë përpjekje për t’i dhënë alibi Berishës që synon t’i vërsulet me babëzi votës së lirë për ta tjetërsuar dhe për ta vjedhur, e për të thënë pastaj se nuk ishte ai që i vodhi, por se ishte PS që humbi për shkak të gjoja përcarjes”, tha Gjika.

Top Channel