Alfred Peza kandidati për deputet i PS-së në zonën e Peqinit thotë se
shteti është mobilizuar me të gjitha forcat për sfumuar aktivitetin e
tij elektoral.

Kandidati Peza këtë akuzë e bazon në përdorimin e mjeteve të Ushtrisë, të cilat sipas tij vihen në funksion të fushatës elektorale, duke shtruar rrugë në komunën Përparim të Rrethit të Peqinit. Shtabi i tij elektoral ka mundur të fotografojë dhe filmojë mjetet e ushtrisë në punë e sipër. Këtë përfshirje të ushtrisë Peza e ka cilësuar si shkelje të vendimit nr.1 datë 21.6.2006 “Për reduktimin e shfrytëzimin e zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve” dhe Kodin Zgjedhor i cili sanksionon qartazi ndalimin e përdorimit të forcave dhe strukturave të posaçme të Ushtrisë gjatë fushatës elektorale.

Peza, në një deklaratë për median, ka pohuar se Berisha deklaroi që nuk do të përdoren mjetet zyrtare në fushatë duke i kujtuar kreut të qeverisë se ushtria si pjesë e NATO-s është e depolitizuar dhe aktivizohet, sipas ligjeve në fuqi, vetëm në raste të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile. “Sot nuk ka pasur asnjë rast të tillë” theksoi Peza.

Top Channel e pyeti ministrin e Mbrojtjes Arben Imami rreth përdorimit të mjeteve të Ushtrisë për fushatë elektorale.

“Në të gjithë Shqipërinë, Forcat e Armatosura, pa dallim partish politike, në komunat me kryetarë të zgjedhur nga e majta ose nga e djathta, kanë punuar dhe do të punojnë për to, siç kanë punuar gjithmonë”, tha Imami.

Top Channel