Vjen ODIHR, por dyshimet shtohen

15/05/2013 00:00

Në 40 minuta konferencë shtypi ku 5 nga 8 pyetjet e medias ishin për KQZ, kryevëzhguesja e misionit të 11 të ODIHR që prej vitit 1996,  amerikania Conny McCormack u tregua shumë e kujdeshme në përgjigjet e saj duke rezervuar  komentet  se cfarë po ndodh me  KQZ-në.

E pyetur nga Top Channel nëse gjatë karrierës në misione vëzhgimi në 9 vënde të ndryshme a ishte ndeshur ajo me një situatë të tillë ku 3 prej 7 anëtarëve të KQZ-së janë dorëhequr, zonja McCormack dha këtë përgjigje.

“Kjo është një mënyrë shumë e zgjuar për të na bërë ne që të flasim për këtë temë. Ne sapo kemi nisur nga puna. Kam qenë në vende kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është konstituuar në mënyrë imediate përpara zgjedhjeve në situatë më të theksuar kontraversale. Situata e këtushme duket se është e palëvizshme gjë e cila na bën të rezervohemi në komentet tona”, deklaroi Conny McCormack, kryevëzhguese e misionit të ODIHR.

Conny McCormack, e cila ka studiuar për gazetari në universitetin e Penn State e më pas për marrëdhënie publike dhe politikë në Universitetin e Majemit, përfshi doktoraturën në shkencat politike, preferoi të mos i përgjigjet vetë të gjitha pyetjeve.

Pyetjen e Zërit të Amerikës se kush do të jetë violina e parë për raportin përfundimtar zonja McCormack apo Roberto Batelli nga Asambleja Parlemantare e OSBE-s, zonja McCormack preferoi që përgjigjen t’ia lerë njërit prej analistëve të ODIHR.

“Ne jemi të informuar për mbërritjen në Shqipëri të delegacioneve të tjera sic është ai Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Si gjithmonë ODIHR është gati të bashkëpunojë me delegacione të tjera, sic edhe e ka bërë në të shkuarën me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Për sa i përket raportit paraprak dhe përpilimit, e bëjnë të gjithë pjestarët e delegacionit. Ne jemi gati të nisim bashkëpunimin me ata”, tha Steven Martin, analist i ODIHR.

Kryevëzhguesja e ODIHR në Tiranë tha se misioni i saj nuk është ai i arbitrit apo të deklarojë nëse zgjedhjet e 23 qershorit janë legjitime apo jo. Kjo sipas saj i takon shqiptarëve.

Ditën e parë të punës në Tiranë McCormack e nisi duke u takuar me Ministrin e Punëve të Jashtëme Aldo Bumçi dhe 4 anëtarët e mbetur të KQZ-së.

Top Channel