Fushata elektorale në Shqiperi pritet të jetë interesante, të paktën në terma propagandistikë. “Me reforma të thella ne hoqëm vizat me Europën, me reforma të thella do heqim vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën”, deklaroi Berisha në mitingun elektoral të PD-s në Durrës.
Ky deklarim i kryeministrit Berisha, paçka se nuk përmban detaje se si do të realizohet heqja e vizave me SHBA, ka nisur të ngjallë ëndrrat e mijëra shqiptareve për të udhëtuar drejt Amerikës.
Premtimi suprize i kryeministrit kapi të papërgatitur shumicen e shqiptareve, por ajo që vendos në këtë rast nuk është qeveria shqiptare, por ajo amerikane.
A e ka një plan të tillë qeveria amerikane ne lidhje me Shqiperinë? “Top-Channel”, përmes postës elektronike i dërgoi një kërkesë për informacion ambasadës amerikane në Tiranë. Po nëpërmjet postës elektronikë, zyra e marrëdhënieve me publikun na dha këtë përgjigje.
“Në përgjigje të pyetjes tuaj, dëshirojmë t’ju vëmë në dijeni si më poshtë: Programi i Udhëtimit pa Vizë (Visa Waiver Program) sanksionohet me ligj dhe ekzistojnë një numër kërkesash statutore që duhen plotësuar përpara se një vend të merret në shqyrtim për anëtarësi në VWP. Ligji aktual kërkon që vendet të kenë një nivel refuzimi vizash për vizitorë prej më pak se tre përqind dhe të hyjnë në marrëveshje për të bashkëndarë mes tyre të dhëna për udhëtarë që paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara, ndër kërkesa të tjera. Niveli i refuzimit në Shqipëri për vitin fiskal 2012 ishte 40.5 përqind”.
Deklarata e ambasades amerikane nuk lë shumë hapësirë për të ëndërruar, ndërsa pritet të shihet nese zoti Berisha do të vijojë të reklamojë ende këtë premtim, që në kushtet aktuale ngjan më shumë i pamundur se sa ambicioz.
PS: SHBA i kanë hequr vizë Saliut. Milo: Shashkë elektorale
Sakaq, opozita nga ana e saj nuk sheh asnje mundesi reale per premtimin e Berishes dhe e komentoi ate në rrafshin politik më shume se sa në atë praktik.
”SHBA- ia ka hequr vizën Sali Berishës dhe Sali Berisha nuk mund t’u premtojë dot shqiptarëve heqjen e regjimit të vizave me SHBA-në”, deklaroi Ditmir Bushati. Ndërsa Paskal Milo, kreu i PDS dhe ish-minister i Jashtëm për shumë vjet sheh deklarimin e Berishës vetëm nje premtim elektoral.
Nga një kërkim në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se programi i “Lëvizjes pa Viza” aplikohet me vetem 37 shtete ne te gjithe boten dhe se qytetarët e shteteve si Polonia, Rumania, Qipro dhe Bullgaria, pavarësisht se janë vënde antare të BE-s duhet të hynë në SHBA me viza pasi nuk plotësojnë ende kushtet për heqjen e vizave.
Top Channel