Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u takua në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mbajti një fjalim para Këshillit të Aleancës mbi procesin e çmontimit të municioneve.
“Shpejtësia, së pari, dhe vendosmëria, me të cilën u krye, siguria, që patëm gjatë gjithë këtij procesi, dhe rezultatet, me të vërtetë të shkëlqyera, përbënin interes për Këshillin e partnerëve euro-atlantik dhe vendeve anëtare”, tha Arben Imami.
TCH: Për pjesën e çmontimit, por jo vetëm, a ka vonesa, probleme me kompensimet, me trajtimet ushqimore, transportin?
“Nuk më pyetën për këtë gjë këtu. Pata vetëm pyetje lidhur me demontimet”, u përgjigj Imami.
I pyetur nga TCH në lidhje me fotot e publikuara nga kandidadi për deputet i PS, Alfred Peza, i cili akuzon për përdorimin e ushtrisë gjatë fushatës zgjedhore, ministri Imami u përgjigj:
“Unë i uroj suksese kandidatit Peza. Për fat të keq nuk e kam dëgjuar. Në të gjithë Shqipërinë, Forcat e Armatosura, pa dallim partish politike, në komunat me kryetarë të zgjedhur nga e majta ose nga e djathta, kanë punuar dhe do të punojnë për to, siç kanë punuar gjithmonë”.
TCH: A ka trysni për vota, për pjesëmarrje në fushatë, mbi administratën ushtarake?
“Kjo besoj që është jashtë diskutimit. Kjo nuk mund të diskutohet, nuk është serioze. Bile nuk është serioze as si pyetje në fakt. Jo që s’mund të ketë trysni, por janë krejtësisht të përjashtuar. Kushdo që merr pjesë, sigurisht që do të paguajë për atë që bën”, tha Imami.
Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, interesimit të Sekretarit të Përgjithshëm se ç’po bëhet në Shqipëri dhe si po shkojnë zgjedhjet, Arben Imami deklaroi se i është përgjigjur duke e garantuar se zgjedhjet do të shkojnë shumë mirë.
Përgatiti: Ernest BUNGURI
Top Channel