Malaj: Vendi drejt falimentit

15/05/2013 00:00

Ish-ministri i Financave, tani kandidat i pavarur për deputet në qarkun e
Vlorës, Arben Malaj, paralajmëron se Shqipëria ka hyrë në një krize të
thellë buxhetore, që po rrëzon ekonominë e vendit.

“Deficiti buxhetor dhe borxhi publik po rriten çdo ditë. Kjo është maja e ajsbergut, pasi Qeveria vazhdon të rrisë borxhet e papaguara ndaj biznesitm, mbledhja e taksave është përkeqësuar dhe ambienti i biznesit është rënduar. Kjo ka vrarë rritjen ekonomike, pa të cilën nuk ka ulje të papunësisë dhe ulje të varfësisë. Situata buxhetore pas zgjedhjeve do të jetë akoma më e rëndë. Asnjë institucion financiar nuk do të t’i ofrojë mbështetjen vendit tonë, nëqoftëse nuk bëhen reformat në ekonomi, në sistemin taksa-shpenzimeve, të cilat do të synojnë të rrisin punësimit”, tha Malaj.

Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit zoti Malaj tha se Shqipëria po shkon drejt një marrëveshje të detyruar shpëtimi me institucionet donatore dhe ky skenar sipas tij ka kosto jo të vogla.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Bashkimi Europian si dhe çdo institucion tjetër financiar bazuar edhe në eksperiencën personale do t’i venë kushte jo të lehta vendit tonë, përpara se të japin mbështetje financiare për projekte zhvillimi që rrisin punësimin dhe rritjen ekonomike”, tha Malaj.

Ish-kreu i Financave mendon se ka një opsion të ri, se si Shqipëria mund të zbusë kostot e kësaj krize, por kjo kërkon më së pari një konsensus të gjerë politik.

“Ky opsion kërkon të reduktojmë çdo krizë politike gjatë dhe pas zgjedhjeve, kërkon të mos vonohet krijimi i Qeverisë së re, kërkon që të jetë gati para zgjedhjeve një draft të reformave për të cilat të gjitha partitë politike duhet të jenë dakord. Kërkon të ulet agresiviteti elektoral, të jenë sa më realistë premtimet për politika ulje taksash apo për rritje disa herë të shpenzimeve buxhetore”, tha Malaj.

Zoti Malaj mendon se marrëveshja politike duhet të përfshijë, ndaljen e shpenzimeve arbitrare, por edhe rishikimin e nivelit të taksave, për të frenuar krizën që sipas tij thellohet.

Top Channel