
Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit Parlamentar të Integrimit, duke
komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave për përdorimin e 400 mijë
dollarëve me destinacion lobimin nëpërmjet dy kompanive lobuese, e quan
atë njw përpjekje e Berishës për të mbajtur në këmbë pushtetin e tij të
kalbur.
“Jemi përballë një fenomeni, që sa më shumë trash zullumet ky pushtet, të cilit po i afron fundi, aq më shumë shtohet kostoja për takspaguesit shqiptarë. Sali Berisha duket qartë që është i vetmi Kryeministër në NATO dhe Europë që i ka vendosur një çmim antiamerikanizmit të tij, sentimenteve të tija antiperëndimore dhe këtë çmim për fat të keq do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë”, thotë Bushati.
Një ditë më parë Top Channel bëri publik vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili ishte propozuar nga Ministria e Integrimit. Bushati shprehet se ky veprim është një tejkalim i kompetencave të Ministrisë së zonjës Majlinda Bregu.
“Jemi në kushtet e paradokseve, kur një Ministri jashtë fushës së kompetencave dhe përgjegjësive propozon 400 mijë dollarë që t’i jepen Kryeministrit për lobim në SHBA, që do të ekzekutohen nga Ministria e Financave.Jemi në kushtet e antikushtetutshmërisë sepse ky vendim duhet që të publikohej menjëherë në Fletoren Zyrtare, duke qenë se i ka prodhuar pasojat e tij të menjëhershme. Dhe jemi pak ditë pasi përfaqësuesi më i lartë i SHBA-ve në Tiranë, e tha shkoqur që kjo Qeveri po e fut vendin në një kurs përplasje me perëndimin dhe SHBA-në”, tha Bushati.
Ministria e Integrimit kontaktuar nga Top Channel nuk preferoi të komentojë mbi këtë çështje.
Bushati: E vetmja vizë është ajo që i kanë hequr Berishës
Sakaq Ditmir Bushati në emër të opozitës jep pikëpamjen e tij në lidhje me deklarimin e një ditë më parë nga Durrësi të Kryeministrit Berisha se ai do të hiqte vizat me SHBA.
“SHBA ia ka hequr vizën Sali Berishës dhe Sali Berisha nuk mund t’u premtojë dot shqiptarëve heqjen e regjimit të vizave me SHBA-në”, tha Bushati.
Nga një kërkim në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit në seksionin e vizave mësohet se qytetarët e shtete si Polonia, Rumania dhe Bullgaria pavarisht se janë vende anëtare të BE-së duhet të hyjnë në SHBA me viza.
Top Channel