Milani do të ketë brenda tij shumë Real Madridit në sezonin e ardhshëm, të paktën sipas një artikulli të publikuar të mërkurën në “Corriere dello Sport”.
Sipas këtij informacioni, kuqezinjtë po ndjekin jo një, por plot katër futbollistë, që Reali mund të jetë i gatshëm të largojë nga ekipi i tij i parë, në mënyrë që të lehtësojë barrën e pagave dhe të grumbullojë fonde për blerje të reja.
Luka Modriç, Angel Di Maria, Diego Lopez dhe Pepe, janë vendosur të gjithë në qendër të vëmendjes së Gallianit, që beson se nëpërmjet tyre, mund të jetë në gjendje të ndërtojë një skuadër në gjendje për të fituar Serinë A dhe konkurruar për titullin në Champions League.
Galliani dhe presidenti i Realit, Florentino Perez, do të takohen të mërkurën në Amsterdam, pasi të dy do të asistojnë në një ceremoni që do të mbahet përpara finales së Europa League dhe do të vendosin kontaktet e para midis dy klubeve, në lidhje me këtë hipotezë merkatoje.
Një prej blerjeve më të shtrenjta të Realit, Luka Modriç ka zhgënjyer duke mos u ngjitur asnjëherë në nivelin e pritshmërive të tij në këtë sezon, ndërsa Di Maria dhe Pepe kanë humbur vendin e tyre të titullarit fiks.
Nga ana e tij, Diego Lopez ka zënë vendin e kapitenit Casillas në këtë sezon falë disa paraqitjeve të lavdërueshme, por me largimin e pritshëm të Mourinhos, është e parashikueshme që porta t’i rikthehet kapitenit të kombëtares spanjolle, duke bërë që Lopez të kërkojë një alternativë të re.
Bie në sy fakti që Kaka, të cilin Milani e kërkoi fuqimisht në merkaton e shkuar verore, nuk figuron më në planet e shtatë herë kampionëve të Europës.
Top Channel