Lewis Hamilton ka kërkuar nga skuderia e tij Mercedes që të ndryshojë situatën sa më shpejt në mënyrë që të ketë mundësi për të luftuar për titullin kampion.
Britaniku përfundoi Cmimin e Madh të Spanjës në vendin e 12, i lënë një xhiro pas nga fituesi Fernando Alonso dhe për këtë arsye kërkon që Mercedes të kuptojë sa më parë pse gomat Pirelli nuk funksionuan ashtu siç bënë me Ferrarin dhe Lotusin.
“Duhet të ndryshojmë patjetër situatën. Puna që po bëjmë nuk po jep fryte dhe mendoj se duhet të bëjmë një hap prapa dhe të provojmë gjëra të reja. Në Barcelonë rrëshqisja me të katër gomat dhe duhet të kuptojmë pse kjo gjë na ndodhi neve dhe jo Ferrarit”, theksoi Hamilton.
Alonso ka parashikuar që pilotët e Mercedes (Lewis Hamilton dhe Nico Rosberg) do të jenë favoritë për garën e Monakosë, por britaniku thekson se nuk po mendon aspak për garën e radhës.
“Nuk e kam mendjen aspak në Monako sepse më parë dua të marr vesh çfarë ndodhi në Barcelonë. U nisa i dyti dhe përfundova i dymbëdhjeti. Dua të diskutoj pikërisht për këtë gjë me inxhinierët dhe jo për garën që na pret”, përfundoi Hamilton.
Top Channel