Stefano Domenicali, shefi i skuderisë Ferrari, deklaroi se i vjen shumë keq që kanë humbur raste për të arritur më shumë se 2 fitore në 5 garat e para të sezonit.
“Kemi fituar dy gara (Alonso kaloi i pari finishin në Kinë dhe në Spanjë), por mund të bënim më shumë. Ne duam gjithmonë maksimumin dhe na vjen shumë keq që kemi humbur raste të mira për fitore të tjera”, i është drejtuar Domenicali punonjësve të fabrikës dy ditë pas fitores në cirkuitin e Montmelosë.
Shefi i Kokëkuqes i referohet garës së Malajzisë dhe të Bahreinit, ku Alonso mund të kishte marrë rezultate shumë më të mira. Në Malajzi pësoi një aksident në xhiron e parë dhe u tërhoq, ndërsa në Bahrein pati probleme me DRS-në dhe përfundoi në vendin e tetë.
“Në Barcelonë fituam bindshëm dhe nuk përfituam nga asnjë episod në favorin tonë. Ishte një dominim i pastër. Tani të përqendrohemi në garat e radhës dhe nëse secili jep maksimumin, mund të arrijmë gjëra të mëdha”, shtoi Domenicali.
Top Channel