
Eliot Engel, ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të
Bashkuara, deklaron se zgjedhjet në Shqipëri janë jashtëzakonisht të
rëndësishme dhe se mbarë bota i ka sytë tek to.
Në një intervistë dhënë për Radion “Evropa e Lirë”, Engel shfaq shpresën se zgjedhjet do të jenë të ndershme dhe do të nxjerrin fituesin e vërtetë, pasi ky do të ishte një hap i mirë në aspiratat integruese të vendit.
“Shqipërinë, e cila sot është një anëtare krenare e NATO-s, isha shumë i lumtur ta shihja duke hyrë në NATO dhe do të doja ta shihja që të anëtarësohet edhe në BE.Bashkimi Evropian do t’i vëzhgojë këto zgjedhje dhe do të vendosë nëse Shqipëria është kandidate për anëtarësim në BE, bazuar në masë të madhe në mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve”, thotë Engel.
Zyrtari i lartë amerikan më tej shprehet: “Shpresoj që mosmarrëveshjet që ekzistojnë tani në Shqipëri në raport me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mosmarrëveshjet tjera do të adresohen. Shpresoj që kushdo që fiton, të ketë një fitore që do të respektohet nga të gjithë”.
Engel thekson se përplasjet dhe konfliktet e të kaluarës nuk mund të jenë pjesë e zhvillimeve të sotme, duke shtuar se Shqipëria duhet ta dëshmojë se e meriton t’i bashkohet BE-së dhe zgjedhjet do të zënë një pjesë të madhe në gjykimin e BE-së për kandidaturën e Shqipërisë. “Unë mendoj se Shqipëria duhet të jetë kandidate.Do të doja të shihja si Shqipërinë, ashtu edhe Kosovën, por për Shqipërinë këto zgjedhje janë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe mbarë bota i ka sytë nga këto zgjedhje”, thotë Engel.
Top Channel