Ronaldinho dhe Kakà jashtë. Luiz Felipe Scolari ka përjashtuar dy ish-milanistët nga lista e 23 të përzgjedhurve për Kupën e Konfederatave, në të cilin Brazili do të jetë rival, në fazën e parë, me Japoninë, Meksikën dhe Italinë, teksa me këtë të fundit do të luajë më 22 qershor, në Salvador të shtetit të Bahia-s.
Momenti i mirë që po kalon Dinho me Atletico Mineiro nuk ka qenë i mjaftueshëm për ta konfirmuar në kombëtare. Më shumë hapësirë do t’u jepet të rinjve, si Bernard, shok i Dinhos te Mineiro, skuadër e shpallur si më e mira e Kupës Libertadores.
“Shumë prej tyre nuk kanë luajtur kompeticione zyrtare me Selecao-n. Është momenti për t’i vëzhguar. Kemi nevojë për rinovim, por nuk është e thënë që të gjithë ata, që janë grumbulluar tani, do të marrin pjesë edhe në Botëror. Në harkun kohor të 1 viti mund të ndodhin shumë gjëra”, ka theksuar Scolari, pas shpalljes së listës.
Mungon edhe Pato, aktualisht lojtar pankine te Corinthians. Nga Italia është grumbulluar vetëm 1 lojtar, Hernanes. Është konfirmuar gjithashtu edhe ish-mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, ashtu si dhe Julio Cesar.
Ja lista e plotë
Portierë: Julio Cesar (Queens Park Rangers), Diego Cavalieri (Fluminense) dhe Jefferson (Botafogo).
Mbrojtës: Daniel Alves (Barcelona), Jean (Fluminense), Marcelo (Real Madrid), Filipe Luis (Atletico Madrid), Thiago Silva (PSG), Dante (Bayern Munich), David Luiz (Chelsea) dhe Rever (Atletico Mineiro).
Mesfushorë: Luiz Gustavo (Bayern Munich), Paulinho (Corinthians), Fernando (Gremio), Hernanes (Lazio), Jadson (Sao Paolo), Lucas (PSG), Oscar (Chelsea).
Sulmues: Neymar (Santos), Fred (Fluminense), Hulk (Zenit), Bernard (Atletico Mineiro), Leandro Damiao (Internacional).
Top Channel