Europianët vazhdojnë të besojnë se reduktimi i shpenzimeve qeveritare është mënyra e duhur për të rregulluar problemet aktuale të Eurozonës, pavarësisht se shkurtimet kanë shkaktuar shumë vuajtje deri tani.
Ky ishte përfundimi i një studimi të “Pew Research Center”, për ndienjat e europianëve, në lidhje me rrugën që po ndiqet nga shumë vende në vështirësi për zgjidhjen e problemit të borxheve.
Një përfundim i tillë tregon se shumica e qytetarëve mbështesin reformat që po ndërmerren, ndonëse ato kanë ndikuar në rritjen e papunësisë, uljen e pagave e pensioneve, shkurtimin e investimeve, shoqëruar me recesion apo stanjacion në shumicën e vendeve anëtare.
Mesatarisht, 59% e shtetasve të 27 vendeve anëtare të BE-së mbështesin masat shtrënguese, ndërsa vetëm 29% besojnë se rruga e ndjekur duhet të jetë e anasjelltë, shoqëruar me rritje të investimeve për të stimuluar ekonominë.
E ndarë në shtete, qytetarët e gjashtë prej tetë vendeve të marra në analizë, përfshi Spanjën dhe Italinë, përkrahin shkurtimet e qeverisë qëndrore.
Sondazhi i “Pew” u krye mbi 7 600 persona, të pyetur në Britaninë e Madhe, Republikën Çeke, Francë, Gjermani, Greqi, Itali, Poloni dhe Spanjë në muajin mars.
Këto përfundime vijnë ndërsa Eurozona preku rekordin e 8,6 trilion eurove borxhe, ose sa 90% e Prodhimit të Brendshëm të përbashkët të vendeve që përdorin euron.
Parashikimet flasin se niveli i borxhit do të vazhdojë të rritet deri në 95% gjatë 2013-s, përpara se të stabilizohet vitin pasardhës.
Top Channel