Ministria e Brendshme paraqiti të dhënat përfundimtare të listave, mbi bazën e të cilave qytetarët shqiptarë do të votojnë për legjislaturën e re të parlamentit, më 23 qershor.
Duke u ndalur te çështja e zgjedhësve pa adresë të saktë banimi, zëvendës/ministri Ferdinand Poni tha se, ky numër është zero.
“Nuk ka asnjë zgjedhës pa adresë të identifikuar zgjedhore, pra është zero. Ata, që ju i quani 888, 999-tat, e dinë shumë mirë se në cilën bashki apo komunë do të votojnë dhe në cilën qendër votimi, se e kanë numrin e qendrës së votimit. Atë që s’di administrata e bashkive/komunave, në gjysmën e të cilave drejtojnë socialistët, është shtëpia ku ata banojnë. Ndonjëherë ajo shtëpi është në Itali, ndonjëherë në Amerikë, ndonjëherë diku tjetër”, tha Ferdinand Poni, zv/ministër i Brendshëm.
Sa i përket dublimeve, zoti Poni theksoi se, tashmë ky numër është fare i ulët dhe nuk paraqet problem.
“Ata janë në listë. Ne kemi dyshuar, por nuk kemi informacion, kështu që nga një listë zgjedhësish nuk mund t’i heqim, nëse nuk kemi informacion nëse është dublim, është i veçantë e me radhë. Por, janë shumë pak”, shtoi Ferdinand Poni.
Lista përfundimtare e zgjedhësve përmban 3,270,936 zgjedhës, që do të afishohet në çdo njësi vendore, brenda këtyre 24 orëve të fundit.
Top Channel