Po planifikonte një sulm me eksploziv ndaj një baze të NATO-s, arrestohet 17-vjeçari norvegjez
Konservatorët në Britaninë e Madhe do të publikojnë në Parlament një
projekt për të kthyer në ligj mbajtjen brenda vitit 2017 të referendumit
për qëndrimin ose jo të Mbretërisë në Bashkimin Evropian.
Lëvizja është një përpjekje për të treguar se kryeministri David Cameron e ka seriozisht thirrjen për referendum të bërë më herët gjatë vitit. Ajo vjen në një moment kur tensionet mes konservatorëve lidhur me qëndrimin në Evropë janë rritur.
Por përpjekja është kritikuar nga liberal-demokratët dhe laburistët, ndërkohë që një deputet konservator ka thënë se plani mund të dështojë.
Sekretari i Jashtëm, William Hague tha për BBC se, “premtimi për një projektligj të tillë tregon angazhimin serioz të qeverisë për mbajtjen e referendumit”.
Kryeministri ka deklaruar se do të rinegociojë marrëdhëniet e Britanisë me BE-në dhe ka premtuar mbajtjen e një referendumi brenda vitit 2017 nëse konservatorët fitojnë zgjedhjet e ardhshme.
Por shumë deputetë të partisë së tij e kërkojnë votimin më shpejt, ose të paktën miratimin e një ligji që ta bëjë mbajtjen e referendumit të detyrueshme.
Ligjvënësit konservatorë janë shprehur të zhgënjyer për faktin se në fjalimin e së enjtes së kaluar të mbretëreshës çështja e referendumit nuk u përmend.
Deri në 70 anëtarë të Parlamentit britanik, përfshirë një numër jo të vogël zyrtarësh të ministrive të drejtuara nga konservatorët, janë shprehur se do ta mbështesin nismën në fjalë.
Top Channel