
Ish-zyrtari i Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç
ka pranuar në Hagë kryerjen e krimeve ndaj popullsisë shqiptare në
Kosovë gjatë luftës së vitit 1999 dhe ka kërkuar falje për to.
Gjatë fjalës së tij në seancën gjyqësore, gjenerali në pension ka pohuar se ka marrë pjesë në fshehjen e trupave të shqiptarëve të vrarë dhe ka thënë se pendohet për këtë.
“Ju kërkoj falje të gjitha viktimave dhe të zhvendosurve për krimet e bëra”, ka thënë Gjorgjeviç, i cituar nga agjencia serbe e lajmeve “B92”.
Ai ka treguar se në Danub ka parë një frigorifer të mbushur me kufoma të civilëve shqiptarë, si dhe ka pohuar pjesëmarrjen në varrimin e fshehtë të viktimave të tjera në një bazë në Batajnicë.
Ish-gjenerali ka thënë se, nuk e kishte kundërshtuar fshehjen e krimeve sepse nuk kishte pasur forcë t’i kundërvihej ministrit të atëhershëm serb, Vlajko Stojilkoviç.
”Pendohem që nuk i jam kundërvënë ministrit. Për këtë ndjehem fajtor. Kam pasur rol të caktuar në gjithë këtë dhe mendoj se duhet të dënohem”, ka thënë Gjorgjeviç.
Gjorgjeviç e ka bërë këtë deklaratë në fund të debatit mes palës mbrojtës dhe asaj të akuzës për dënimin e tij në shkallën e parë të aktgjykimit, ku ishte dënuar me 27 vjet burg.
Top Channel