Ndërsa përballja politike midis dy kampeve po ashpërsohet gjithmonë e më shumë, kur mbeten pak më shumë se një muaj deri në zgjedhjet e përgjithshme, Rudina Xhunga, në studion e saj në “Shqip”, bashkoi personalitete politike me analistë, për të diskutuar rreth javës së fundit të zhvillimeve të vrullsme politike.
Spartak Ngjela, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, pjesë e koalicionit të djathtë, Dashamir Shehi, kryetari i LZHK-së, pjesë e koalicionit të djathtë, Andrea Stefani, analist dhe Bledi Kasmi, kryeredaktor i Rilindjes Demokratike, debatuan për më shumë se një orë e gjysmë, mbi çështjet aktuale, duke nisur nga hapja zyrtare e fushatës së Partisë Demokratike, me një miting madhor në Tiranë.
Duke marrë i pari fjalën, me pikënisje mitingun, Shehi tha: “Përveç entuziasmit dhe zhurmës, unë gjykoj se Berisha dha disa mesazhe që mirë apo keq, në atë rrëmujë ose zhurmë të mitingut, kanë disa domethënie të rëndësishme. Një nga këto, që më pëqleu në filozofinë time, ishte premtimi që do të bëjmë një fushatë moderne, të qytetëruar dhe e quaj këtë një shans. E dyta, që do të hapim disa tema që i përkasin perspektivës, do të flasim për katër vitet e ardhshme dhe më duket një zgjidhje taktikisht e pranueshme dhe e vlefshme. Mendoj që tek lista e kryeqytetit ka pasur një përmirësim, ka disa intelektualë, djem të qytetit, që përfaqësohen me dinjitet”.
Qëndrimi i avokat Ngjelës ishte krejtësisht i kundërt. Tek fjala e kryeministrit Berisha, në hapjen e kësa fushate, ai theksoi se nuk pa asnjë lloj mesazhi, por vetëm përsëritje, të konsideruar prej tij si boshe. “Nga viti 1991 deri tani, në mitingje Berisha i fyen njerëzit, i di bagëti. Nuk jep asnjë lloj afrimiteti, nuk formulon dot frazën, nuk ka mundësi të japë gjë në hapje fushate, thotë të njëjtat gjëra, ne ndryshimi e zhvillimi. Përsa i përket asaj, ka apo jo program, kjo s’ka rëndësi sepse kriticizmi vjen për atë që ke bërë, s’ka nevojë të thotë çdo bëjë, por atë që ka bërë në 8 vjet. Ky thotë kam bërrë rrugë, por njerëzit e dinë që se çfarë ka bërë dhe dihet që është i konsumuar se nuk thotë dot gjë. Fushata nuk përfaqëson ndonjë gjë të madhe, e rëndësishme është se çfarë po verbalizon dhe mua m’u duk se nuk tha asgjë. S’kam parë fjalime të tilla në Europë, asgjëkundi në botë”.
Në vlerësimin e tij, zoti Stefani gjithashtu e komentoi përmbajtjen e fjalimit të kryeministrit Berisha dhe të programit të Partisë Demokratike si “një retorike”. “Nuk e pashë hapjen e fushatës, por nga imazhet që po transmetoni ju, bashkohem me opinion e Avokatit. Pashë disa gjëra me të vërtetë të vjetra, edhe në pikëpamje të skenarit të atij mitingu. Fjalori që po përdor Berisha është tërësisht i vjetër, “anija jonë që nuk pyet për furtunën e krizës”, gjëra që i kemi dëgjuar 45 vjet”.
“Kryeministri gjithashtu përsëriti togfjalëshin që do të bëjmë diçka”, vijoi Stefani. “Kur një kryeministër thotë do të bëjmë gjithçka, e bën sepse nëse thua do të bëj diçka duhet ta detajosh çdo të bësh. Kur thua do bëjmë gjithçka, thua që se ke menduar çdo të bësh e do të bësh diçka, por që se di akoma. S’është nevoja të bësh gjithçka pa bërë asgjë, por atë që duhet bërë. Kjo është një frazë boshe, një kompozim tepër i vjetër, teksa ca turma me detyrë manjetofon bërtisin Berisha-Berisha. Kur flitet zakonisht, në mitingjet e liderave botërorë, ai dëgjohet me kujdes për ato që thotë. Këtu bëhet një gjullurdi vetëm për të nxitur pasionet e turmës. Tha në 2009-n që do të punësonte 150 mijë njerëz, tani thotë 250 mijë. Të gjitha këto janë për mua mashtrime elektorale”.
Në pozicionin e tij si kryeredaktori i Rilindjes Demokratike, një organ i Partisë Demokratike, zoti Kasmi kundërshtoi parafolësit, duke tërhequr vëmendjen për t’u përqendruar në thelbin e programit. “Ne po flasim për formën, e jo për përmbajtjen. Në qoftë se do të fillojmë tek forma, kjo është forma klasike që ka përdorur në 22 vjet Partia Demokratike, forma mitingut, e thirrjes njerëzve që të dëgjojnë alternativën qeverisëse dhe aq më tepër, që është fillimi. Duke u kthyer tek përmbajtja, fushata ka nisur që më herët e PD është pasuruar me konventa, takime, forma komunikimi me qytetarë, etj. Tani është komunikimi intensiv e në mjetet sociale, që është risia e një fushate pozitiviste në çdo hap e orë. Nëse dalim nga kjo është një çështje që duhet diskutuar mes vetes, por kjo është fushatë që nuk merret me kundërshtarin, por me alternativën”.
E në vazhdim, Kasmi iu drejtua dy politikanëve të pranishëm në studio: “Dua të uroj zotin Shehin, që do të jetë deputet i ardhshëm i Partisë Demokratike dhe shpresoj në një fushatë serioze të zotit Ngjela, të cilit nëse nuk do t’i ishin vjedhur votat kur kunkurroi për kryetar bashkie në vitin 2004, iu vodhën votat prej Ramës”.
“ Vjedhja nuk dihet nga ç’anë doli. Në këto momente jam në politikë, ndërsa bashkia nuk është post politik”, iu përgjigj kësaj batute Ngjela. “Problemi im është që shof një krizë tërësore në atë që thatë ju, pozitiviste. Nuk është problemi se ka një fushatë pozitiviste, ka një fushatë të stopuar, e cila nuk është në gjendje të thotë asgjë. E dyta, Berisha nuk ri dot pa e demonizuar kundërshatin, ai demonizon dhe nxjerr veten lart. Nëse kjo është pozitiviste, ju qofshi, por kjo është urrejtje, me gjyshe, me baba, me nënën, i shikoni të gjitha po bëhen”.
“Ditë për ditë, me atë merret. Por, gjendja ekonomike dhe sociale është shumë e rëndë. Nëse këta lidera nuk e paraqisin, nuk kanë përgjegjësi, pasi gjendja shumë e rëndë”, vazhdoi gjykimin e tij kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi. “E vetmja shpresë që është sot, është të vijë një lidership me vizion e koncept europian, të angazhohet dhe pranohet në perëndim, prandaj 3 ligjet janë broçkulla. Duhet të hyjmë në shina, siç hyri Sllovenia e Kroacia, që morën ndihmat e tyre për të arritur parametrat, duhet të rregullosh në fillim institucionet e shtetit, të kesh porcionin tënd në globalizëm. Punësim pa prodhim nuk ka, e sot Shqipëria nuk prodhon asgjë. Ky kryeministër është i provuar, është provuar dhe ka dështuar, ndaj lind nevoja për rotacion. Nuk ka rëndësi çfarë do të ndodhë më pas, këtë nuk mund ta parashikoj, por kjo alternativë është e dështuar tashmë”.
Vlerësimit të Ngjelës se me këtë qeveri nuk mund të anëtarësohemi në Europë, Kasmi iu përgjigj me mohim. “Ju thoni se nuk shkojmë dot në Europë me Berishën, por historia ka provuar të kundërtën. Nga viti 1992, njeriu i vetëm që ka firmosur integrimet është Sali Berisha e kjo i jep një veçori historike, nga anëtarësimi në KE, tek hapja e negociatave me BE, anëtarësimi NATO, asocim-stabilizimi, këto kanë vetëm një firmë, e me këtë kryeministër rrugët janë të hapura”, komentoi kryeredaktori i RD-së dhe një anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
“Po 1997 e harrove. Me këtë kryeministër nuk anëtarësohemi kurrë”, reagoi prerazi Ngjela. “Nuk pranohet një figurë e tillë e degraduar, orientale, me vizion otoman, nuk pranohet në peëndim të jeni të sigurt. Keni parë ndonjë kryeministër të sillet kështu me popullin? Obama, njeriu më i fuqishëm i botës, sikur të thotë në kongres që ta bëj kokën si këpuca nuk del nga shkallët, por ky spurdhjak (i referohet zotit Berisha), ia lejon vetes. Sikur kryeministri i Francës t’i thotë prokurorit e presidentit horr bulevardi, për një orë është i arrestuar”.
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi u shpreh pesimist për marrjen e një mandatit të tretë nga e djathta, mandat që sipas tij duhet të shërbejë për të bërë ndryshimet e mjaftueshme institucionale për të zgjeruar demokracinë: “Ky mandat duhet të shërbejë për të bërë ndryshimet e mjaftueshme institucionale për të zgjeruar demokracinë në këtë vend. Gjatë këtyre viteve është gabuar shumë, kjo është e ditur. Se cdo të bëhet në të ardhmen? Besoj që në këtë program ka shumë pika pozitive, megjithëse unë kam ato propozimet e mia. Ne aleancën e kemi me Partinë Demokratike dhe mund të marrim një mandat të tretë sepse s’ka frymë nga opozita”, tha Shehi.
Ndërsa për kreun e PLD-së Spartak Ngjela deklaroi se shanset për një mandat të tretë të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj janë zero: “Saliut i ra një barrë e rëndë në qeverisje, sepse kjo është akumulim i 10 viteve, edhe në momentin institucional edhe në momentin ekonomik. Ky nuk zgjidhi as njërën dhe as tjetrën sepse pushtoi institucionet. Njerëzit nuk janë aq të trashë sa të votojnë një diktator. Nëse ky e rrëmben me dhunë, do ketë përplasje sociale, më shumë se sa në 2009 sepse njerëzit kanë mbledhur urrejtje. E vetmja shpresë është që të shikojmë me gjakftohtësi që të hyjmë në Europë. Të mundohemi që të krijojmë disa parametra në Shqipëri”, tha zoti Ngjela.
Analisti Andrea Stefani tha se një mandat i tretë për Berishën është pa kuptim: “Një mandat i tretë për Berishën do të ishte pa kuptim në shumë aspekte edhe në atë të mbajtjes hapur të opsioneve demokratike në Shqipëri sepse Berisha e ka treguar veten që është autokrat. Sot janë shtuar zërat nga ndërkombëtarët për kapjen e pushteteve. Berisha erdhi në pushtet për të luftuar korrupsionin, madje mbaj mend që shumë nga ata që e mbështetën e bënë më shpresën që do të luftonte korrupsionin. Kush voton Sali Berishën voton dhe i jep të drejtë një qeverie që vret protestues të pafajshëm dhe kjo do të thotë që të ligjërosh këto veprime. Në cilin vend perëndimor ndodh kjo? S’kam parë akoma frymë më të madhe, perceptim më të madh se përse duhet të ndërrohet qeveria në Shqipëri”, tha ai.
Megjithatë, për zotin Shehi pavarësisht mangësive të mazhorancës aktuale, sipas tij, opozita nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv për të marrë pushtetin: “Berisha nuk është prijësi i lirisë dhe demokracisë, këtë nuk e kam thënë dhe nuk do ta them asnjëherë, por opozita nuk ka dhënë asnjë sinjal pozitiv, si me listat, si me programin, si me lëvizjet politike”, tha ai.
Kryeredaktori i Rilindjes Demokratike, Blendi Kasmi shprehu bindjen për fitoren e PD dhe aleatëve të saj: “Kryetari i opozitës nuk prodhon lajm. Nuk ekziston kryetari i opozitës. Në njërin krah kemi lista gjithëpërfshirëse, ndërsa në krahun tjetër lista përjashtuese. Kushtet bënë që PD të hapet me aleatët tradicionalë dhe ish-deputetët socialistë të përjashtuar nga Rama. Ka një bojkot masiv tek PS dhe brenda së majtës, ndaj e gjithë vëmendja drejtohet tek Berisha për të mësuar se si do qeverisë Berisha mandatin e tretë”, tha Kasmi.
Pjesa e tretë e Shqip iu kushtua mundësive të opozitës për ardhjen në pushtet dhe realizimit të rotacionit.
Analisti Stefani tha se ka ardhur koha për rotacion për shumë parametra teorikë dhe ekonomikë: Ka ardhur koha e rotacionit dhe ka shumë parametra. Jam dakort që fajësia e rrënimit institucional është e përbashkët saqë edhe konstitucionalistë kanë ngritur cështjen e krijimit të një republike të dytë në kuptimin figurativ. Ka nevojë për një reformë të thellë rindërtuese të institucioneve të pavarura. Nuk ka integrim nëse nuk ka pavarësi institucione. Berishës i pëlqen ky sistem sepse është autokrat, ndërsa Rama ka bërë autokritikë, kur thotë në libër “që në vend të vinim vetulla, nxorrëm sytë”, kurse Berisha vazhdon duke thënë se kjo është reformë historike. Ndaj ka shpresa që largimi i Berishës dhe ndërrimi i pushtetit do t’i japë zgjidhje edhe këtij problemi”, tha zoti Stefani.
Për kreun e PLD-së rotacioni duhet të ndodhë. Ai përcaktoi edhe prioritetet e mazhorancës së re pas 23 qershorit: “Duhet të rikthehemi tek një presidenti konsensual, duhet urgjentisht. Duhet të ndërtojmë administratën që nuk lëviz, le të vijë kushdo në pushtet, duhet të kthejmë parlamentarizmin, reformë të thellë në parlament. Kjo folëse që ësthë nuk ka lidhje fare me funksionin. Sa i përket ekonomisë, duhet që qeveria e re ta nisë nga bujqësia, nëse nis e flet do bëjmë rrugë, atëherë s’ka ndryshim”, tha zoti Ngjela.
Kryeredaktori i RD-së, Blendi Kasmi deklaroi se opozitës i mungon baza morale dhe përjashtimi i figurave brenda radhëve të saj për të ardhur në pushtet. I të njëjtit mendim ishte edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi. Ai tha se opozitës i mungojnë idetë dhe se deri më tani, sipas tij, ka dëshirë vetëm për të marrë pushtetin dhe jo për të ndërtuar shtetin.
Top Channel