Policia në Rusinë Jugore ndaloi dy persona, të dyshuar si autorë të një vrasje të motivuar nga homofobia.
Ndalimi i të dyshuarve vjen një javë pasi një trup i zhveshur u hodh në një lulishte në qytetin e Volgogradit.
Kafka e të ndjerit ishte e thyer, ndërsa përpara goditjes vdekjeprurëse që kishte shkaktuar frakturën e thellë, ai ishte goditur me disa shishe birre në kokë.
Sipas prokurorëve, të cituar nga mediat ruse, viktima 23-vjeçare dyshohet se ishte duke pirë me disa miq, të cilëve në dehje e sipër u pranoi se ishte homoseksual.
Një prej të ndaluarve ishte shok gjimnazi me të ndjerin dhe me precedentë penalë për vjedhje.
Kjo vrasje ka ngjallur një seri reagimesh të ashpra në rrjetet sociale ruse, një vend i kritikuar më parë nga komuniteti ndërkombëtar për diskriminimin e rëndë që i bëhet komunitetit LBGT.
Së fundmi, me këmbënguljen e presidentit Putin, pjesë e legjislacionit rus u bë edhe ndalimi i mbajtjes së paradave gay në të gjithë vendin si dhe ndëshkimi për të gjithë ata që propagandojnë përhapjen e homoseksualitetit.
Top Channel