LEONARD BODURI – Modeli feudal i funksionimit të partive politike e ka
shfaqur përsëri veten me prepotencë me anë të publikimit të listave të
mbyllura për zgjedhjet parlamentare. Në listat përfundimtare është
pasqyruar qartësisht vullneti privat i kryetarëve, të cilët kanë vënë
veton dhe kanë injoruar hapur mendimin e anëtarësisë apo forumeve
përfaqësuese.
Pak zëra të vetmuar kanë kërkuar që ndër kriteret e hartimit të listave për kandidatë të merret në konsideratë “edhe” mendimi i anëtarëve në bazë. Çudi që partitë që janë anëtare me të drejta të plota të Internacionales Socialiste apo të Partive Popullore Europiane të akuzohen se nuk po përfillin mendimin e anëtarësisë! Natyrisht e kam fjalën për “protestën” kibernetike të Erjon Braçes si dhe deklaratat e mekura të Mark Markut. Reagimet parimore të këtij të fundit i kemi dëgjuar vetëm pasi përjashtimi i tij nga listat blu ishte vulosur. Gjithsesi lajmi më i bujshëm nga fronti i listave nuk ishte konfirmimi për kandidimin e paralajmëruar të tre “musketierëve” socialistë në listat e PD-së, por ai i kandidimit surprizë të Kokëdhimës në vend të Malajt në Qarkun e Vlorës. Gjithashtu një ngjarje e papritur për publikun ishte edhe rreshtimi i z. Duka, njërit prej më të lakuarve të “Klanit të Zemunit”, në krah të aleancës blu nën siglën e PR-së. Mund të vazhdojmë pa fund me listën e vendimeve absurde, ku padronët e partive politike me forcën e pakufizuar që u ka dhënë ligji elektoral nuk e kanë parë të udhës të këshillohen me anëtarësinë e forcave politike që udhëheqin. Strategjia e hartimit të listave është mbështetur në afrimin e legjionarëve politikë, të cilët qoftë për burimet financiare që disponojnë apo qoftë për ndikimin e lidhjeve personale në zona të caktuara mund të mbledhin vota për koalicionet. Qëllimi justifikon mjetet.
Në mishmashin e deklaratave dhe reagimeve pas publikimit të listave vlen të veçojmë reagimin e Arben Malajt, i cili zgjodhi të kandidojë në Vlorë si i pavarur. Sipas deklaratës, përveç të tjerave, sfida e tij dhe e shoqërisë shqiptare është demokratizimi i partive politike që vuajnë nga diktatorët e rinj të politikës. Nuk ka dyshim se z. Malaj është një njohës i mirë i politikës shqiptare dhe i mënyrës se si administrohen partitë politike në vend. Natyrisht konstatimi i tij se partitë politike dhe veçanërisht PS-ja funksionon në kushtet e një diktature të brendshme, nuk mund të kalojë pa u analizuar. Me interes për publikun është të dijë se në cilin moment z. Malaj e ka pikasur mungesën e demokracisë në partinë e tij. Nuk besoj se deklarata e tij korrekte me realitetin të jetë e bazuar vetëm në një vrojtim të kohëve të fundit. Kur u bë PS-ja një parti despotike, para një jave, një ditë para publikimit të listave të kandidatëve apo në momentin kur u konfirmua mospjesëmarrja e tij personale në listat e PS-së në Qarkun e Vlorës? Është e kuptueshme heshtja e deritanishme për sa kohë nuk ishin shkelur interesat personale të z. Malaj, për mungesën e demokracisë së brendshme në ambientin politik, por është për t’u lavdëruar përjashtimi i tij nga z. Rama pasi në këtë mënyrë u nxit reagimi parimor nga halli i tij. Kjo është koha për pragmatizëm të shoqërisë civile.
Për të qenë më i qartë, dua të theksoj se në interes të shoqërisë sonë është që të pozicionohet kundër qëndrimit të tipit “Malaj-konformist” dhe që të pozicionohet pro rebelimit të tij dhe të gjithë politikanëve që dalin hapur kundër metodave diktatoriale të administrimit të partive politike. Nuk besoj se z. Malaj, që ka një jetë në politikë, e mësoi vetëm ditët e fundit se roli i anëtarësisë së partive politike në hartimin e listave të kandidatëve është i papërfillshëm. Gjithashtu nuk mund t’i falet një politikani të kalibrit të tij heshtja e deritanishme për metodat feudale të drejtimit të partive dhe mungesa e rebelimit të tij edhe pas votimit qorrazi të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat i dhanë kryetarëve të partive politike fuqi vendimmarrëse të pakufizuara. “Të plotfuqishmit” në krye të partive imponuan përulje afatgjatë të të gjitha niveleve të anëtarësisë dhe mbollën një heshtje klienteliste të personaliteteve të partisë të mbështetur në interesat e ngushta personale. Thelbi i jetëgjatësisë së karrierës së një politikani në kushtet e ligjit të ri zgjedhor është të rrijë urtë dhe të mos prishë muhabetin me shefin. Lojtarë të tillë në nivele drejtuese si z. Malaj nuk mund të justifikohen për konformizmin e tyre afatgjatë.
Gjithsesi reagimi i z. Malaj, sado i vonuar të jetë, është për t’u përshëndetur, ashtu siç është edhe reagimi i eksponentëve të tjerë të rëndësishëm të politikës. A mund të jetë dakord anëtarësia e PD-së me kandidimin e atyre që nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën, që u përzgjodhën sipas modelit që u kandidua z. Stërkaj në vitin 2009? (Askujt nuk ia mban të protestojë para shtëpisë së tij për kalimin e ylberit dhe bashkimit me PS-në, meqë ra fjala.). A mund të pranojnë me dëshirë socialistët vlonjatë largimin e z. Malaj dhe ngritjen e figurës klienteliste të Kokëdhimës? Nuk ka nevojë për ilustrime të tjera për të kuptuar se gjendja aktuale e demokracisë brenda partive politike është e mjerueshme dhe roli i anëtarësisë së tyre është thjesht një fasadë për të na mbushur mendjen që kanë mbështetje popullore. Partitë politike nuk kanë asnjë arsye për t’i marrë mendimin anëtarësisë, pasi mbajtja në këmbë e mekanizmit partiak nuk kërkon mbështetje popullore, por thjesht kërkon para që sigurohen nga marrëveshjet okulte të kupolës së partisë dhe jo nga kuotizacionet me pikatore të anëtarësisë. Modeli i piramidës së vendimeve nga lart poshtë imponon emërimin e kryetarëve të forumeve drejtuese në rrethe, të cilët më vonë janë të detyruar të votojnë “të lirë” për udhëheqjen e partisë. Pjesëmarrja në një parti politike për anëtarët nënkupton një përpjekje për t’u punësuar apo për të ruajtur vendin e punës. Për sa i përket pjesëmarrjes në vendimmarrjen e partisë ku aderojnë, anëtarët jo vetëm janë të përjashtuar nga ky proces por janë të orientuar nga përulja ndaj udhëheqjes.
Pra numri i “frymëve” që janë të regjistruara në emër të një partie apo një partie tjetër nuk ka ndonjë vlerë tjetër përveç atyre statistikore. Ato shërbejnë si marioneta që së bashku me dekorin dhe simbolet partiake i shërbejnë kupolës së partive. Ato janë “frymë të vdekura”, të cilat nuk kanë asnjë vlerë dhe shpërfillen sistematikisht në marrjen e vendimeve të forcave politike ku janë të regjistruar thjesht për të mbushur vendet bosh. Ato përfaqësohen nga ata që nuk i përfaqësojnë. Në këtë ambient të kontaminuar nga pikëpamja demokratike nuk mund të habitemi me metamorfozat e “demokratëve” të rinj siç ishte treshja e musketierëve- socialistë në listat e PD-së, apo me përfaqësimin e “Klanit të Zemunit” në listat e republikanëve. Baltosja me publikimin e listave përfundoi me sukses. Për të gjitha këto arsye, mbështetja e individëve rebelë si majtas ashtu edhe djathtas për të reformuar me ligj funksionimin e brendshëm të partive politike është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Modeli i reagimit të z. Malaj apo aktorëve të tjerë të politikës shqiptare kundër despotizmit dhe feudalizmit të hapur në administrimin e partive politike duhet mbështetur pa kufizime sidomos kur këto nisma kanë prirjen të kthehen në nisma ligjore. Të mos harrojmë se partitë politike marrin pas zgjedhjeve kontrollin e politikave qeverisëse dhe kanë ndikim të madh, për të mos thënë të jashtëzakonshëm në përditshmërinë tonë. Individë që drejtojnë partitë politike me grusht diktatorial nuk besoj se kanë tendencën për të harruar zakonin e vjetër.
Nikolai Gogol e kishte të vështirë siç duket dhe nuk e përfundoi kurrë trilogjinë e parashikuar për Çiçikovin dhe tregtinë e dështuar të “Frymëve të vdekura” në Rusinë feudale të shekullit të 18. Nëse do të kishte mundësinë të shihte realitetin e sotëm të Shqipërisë, do të kishte gjetur material të pasur për të shkruar volume të tëra për pasardhësit modernë të Çiçikovit që garojnë me njëri-tjetrin pa iu trembur më ndëshkimit të ligjeve cariste. Çiçikovizmi në Shqipëri nuk përfaqësohet nga një individ i vetëm. Çiçikovizmi është kthyer në tendencë në shoqërinë shqiptare dhe nuk shihet si një dukuri e shëmtuar shoqërore, siç konsiderohej në Rusi në kohën e feudalizmit carist. Janë pikërisht format e përhapura të kësaj tendence që i ofrojnë votuesit të dhunuar të gëlltisë me zor një çorbë të gatuar në një kuzhinë diktatoriale. Pas përfundimit të çorbës së emërimeve, rreziku më i madh nuk është vetëm konstatimi i “frymëve të vdekura” në anëtarësinë e partive politike, por në pasqyrimin e kësaj fryme në përfaqësimin më të lartë të vullnetit popullor. Diktatura në mënyrën e drejtimit të partive natyrisht do të pjellë një Parlament kryekëput të kontrolluar, prandaj shoqëria duhet të rreshtohet në krah të larmishmërisë së mendimeve në organizatat politike dhe të mbështesë fuqimisht misionin për demokratizimin e tyre. Rrjedhimisht duhet mbështetur nisma e proklamuar nga z. Malaj dhe aksioni i tij i ri politik, gjithmonë nëse e ka seriozisht. Kjo nismë është në interes të shoqërisë shqiptare, prandaj duhet mbështetur pa kushte…
Top Channel