Cameron sulmon Brukselin

13/05/2013 16:00

I persekutuar nga probleme të brendshme, kryeministri britanik David Cameron përpiqet t’ia hedhë fajin Evropës, të cilën disa qytetarë britanikë dhe disa ministra të kabinetit të tij nuk e duan më.

Kështu, Cameron ka deklaruar se status kuoja sot në radhët e Bashkimit Evropian është e papranueshme dhe duhet ndryshuar sa më parë.

“Nuk besoj se status kuoja në BE është e pranueshme në ditët e sotme. Unë dua ta ndryshoj dhe sapo ta ndryshoj do t’u vendos përpara qytetarëve britanikë një zgjedhje të thjeshtë: brenda apo jashtë”, ka deklaruar Cameron.

Kryeministri ka ritheksuar kështu me forcë pozicionin dhe strategjinë e tij, që është rinegocimi i marrëdhënieve të Mbretërisë së Bashkuar me institucionet evropiane dhe ta zgjidhë problemin përmes një referendumi.

Deklaratën Cameron e ka bërë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që në Britaninë e Madhe debati mbi Evropën sa vjen e bëhet më “i nxehtë”, pasi dy ministra kanë deklaruar se, nëse referendumi do të mbahej sot, ata do të votonin për daljen e Londrës nga Unioni.

“Nuk do ta mbajmë referendumin nesër. Referendumi do të mbahet para fundit të 2017-ës”, ka thënë më tej kryeministri, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me deklaratat e dy ministrave të kabinetit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA