SHBA, “turizmi” i lindjeve

11/05/2013 00:50

E quajnë turizmi i lindjeve. Një praktikë, që në Shtetet e Bashkuara vazhdon prej kohësh e që, pavarësisht se nuk parashikohet në ligj, nuk është ilegale.

Megjithatë, përhapja e materniteteve të palicencuara në pjese të ndryshme të vendit, sidomos në Kalifoni, shihet me shqetësim nga autoritetet vendore, të cilat kanë nisur për këtë arsye një operacion për mbylljen e tyre.

Të tilla klinika përdoren më së shumti nga gra aziatike, kryesisht kineze, dhe premtojnë nënshtetësinë amerikane për foshnjat e porsalindura.

Jugu i Kalifornisë është kthyer në qendër të këtij, të ashtuquajturi turizëm, i cili reklamohet me të madhe në qytetet më të pasura të Kinës, ku gratë që mbledhin mijëra dollarët e nevojshëm për udhëtimin dhe qëndrimin disa-mujor në Amerikë, e shohin si mundësi të mirë për t’i dhënë fëmijës pasaportë amerikane.

Por në Kaliforni, vendasit janë të pakënaqur. Dhjetra vetë kërkuan mbylljen e një klinike në Chino Hills. Kjo është një zonë e qetë rezidenciale, thanë organizatorët e protestës, dhe nuk duam që të kthehet në qendër biznesi të lindjeve.

Ata shtojnë se në Kaliforni, një praktikë e tillë ndiqet prej vitesh të tëra, por është injoruar në masë të madhe nga mediat kombëtare.

Tre klinika të vogla identike, me nga katër dhoma, që funksiononin si qendra të palicencuar lindjesh, u mbyllën në muajin mars, në zonën San Gabriel. Zyrtarët lokalë thanë për “The Times” se, atje ishin gjetur 10 nëna ose gra që prisnin të lindnin, dhe shtatë foshnje të porsaardhura në jetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA