Cristiano Ronaldo mund të jetë subjekt i shqyrtimeve intensive në lidhje me një rikthim të mundshëm te Manchester United, nga Real Madrid, por ai ka mundur t’i lërë pas krahëve komentet, të paktën gjatë ditës së premte.
Ylli portugez i Realit ka qenë i shoqëruar me të dashurën, Irina Shayk, në “Madrid Open”, për të parë Rafael Nadal teksa mposhtte David Ferrer-in (4-6, 7-6, 6-0).
Pranë tyre kanë qenë gjithashtu Sergio Ramos dhe ylli i Atletico Madrid, Radamel Falcao, të cilët arritën gjithashtu t’u shmangen stërvitjeve për të parë këtë ndeshje tenisi mes dy spanjollëve.
Ronaldo shënoi golin e tij të 200-të me Realin kundër Malaga-s, gjatë fundjavës së kaluar, por nuk është i lumtur me faktin se si po shkojnë gjërat nën drejtimin e Jose Mourinho-s.
Shefi ekzekutiv i United, David Gill, ka qenë në Madrid për t’u takuar me Jorge Mendes, super-agjentin e portugezit, i cili përfaqëson lojtarin në çdo tratativë transferimi.
Burime gjatë mbrëmjes së të mërkurës insistonin se kampionët e Premier League-s janë të bindur se do të sigurojnë rikthimin e lojtarit të tyre, që e shitën 4 vite më parë te Reali për shifrën rekord në botë, 80 milionë paund, në 2009.
Top Channel