Pakistanezët do t’i drejtohen kutive të votimit këtë të shtunë, për të zgjedhur drejtuesit e tyre, që do të qeverisin një nga vendet më të komplikuara të botës.
Nga korrupsioni, deklaratat për ndërhyrje të ndërkombëtarëve, terrorizmi dhe ekstremizmi fetar, e deri te mbipopullimi, inflacioni, varfëria dhe papunësia, Pakistani konsiderohet me të drejtë nga disa, si një nga fuqitë bërthamore më të paqendrueshme të botës.
Gjatë pjesës më të madhe të ekzistencës së tij 66-vjeçare, kombi i 193 milionë banorëve është qeverisur nga një qeveri ushtarake. Por zgjedhjet e këtij viti janë cilësuar si ndër më demokratiket e zhvilluara ndonjëherë në këtë vend.
Sipas Komisionit Zgjedhor të Pakistanit, do të jenë 36 milionë votues të rinj, mes 86 milionë të regjistruarve me të drejtë votimi dhe më shumë se gjysma e kandidatëve do të jenë femra, sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara për gruan.
“Ekziston një shpresë e re për vendin dhe shpresoj që kjo të ndryshojë situatën në Pakistan; votimi në këto zgjedhje do të bëjë diferencën”, tha një grua pakistaneze për CNN. Vendet e votimit u hapën në orën 05:00 (shqiptare) në ato që cilësohen si zgjedhje historike në Pakistan, mes sigurisë së madhe.
Top Channel