Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka deklaruar në një intervistë për “DW” se e drejta e autoriteteve të Kosovës për të ushtruar autoritetin në të gjithë territorin, përfshirë edhe veriun është e pakontestueshme.
Megjithatë, ka thënë ai, autoritetet kosovare po përpiqen të shfrytëzojnë rrugën e dialogut për të arritur zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit me Serbinë.
“E para, marrëveshja nuk do të dështojë. Unë jam i bindur plotësisht për shumë faktorë, jo vetëm për faktorin nga ana e Serbisë apo nga ana e Kosovës, por edhe për faktorin ndërkombëtar që është garant i marrëveshjes. Në radhë të parë Bashkimi Evropian, pastaj faktorët e tjerë përfshirë edhe shtetin më me ndikim në botë, SHBA-në”, ka deklaruar Kuçi.
Ai është shprehur i bindur se marrëveshjet ndërkombëtare nuk dështojnë, por edhe i vetëdijshëm se ato mund të tejzgjaten.
“Mund të ketë tendenca për zgjatje të kohës, këtë e kemi vënë re tek delegacioni serb, si dhe tendenca për një interpretim ndryshe të marrëveshjes”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, kjo ndodh në momente të caktuara dhe krijon një hendek ndërmjet dy palëve. “Unë besoj se një intepretim autentik duhet të vijë nga zonja Ashton dhe nga të dy kryeministrat, ai i Kosovës dhe ai i Serbisë”, ka shtuar Kuçi.
Ky takim pritet të bëhet gjatë këtij muaji, ndërsa është përmendur data 21 maj kur dy kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç pritet të takohen në Bruksel.
Top Channel