Në hapjen e takimit vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që filloi punimet në Stamboll, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka  falënderuar përfaqësuesit e shteteve që kanë votuar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në BERZH.

Në vazhdim, Thaçi ka bërë një ekspoze të progresit që ka arritur Kosova gjatë 5 viteve pas shpalljes së pavarësisë, duke theksuar njohjen e shtetit nga rreth 100 shtete të botës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e Kosovës janë të angazhuar për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, duke punuar me përkushtimin më të lartë institucional për përmbushjen e të gjitha kritereve dhe standardeve demokratike të integrimit”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Në fjalën e tij, Thaçi ka përmendur gjithashtu edhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, duke e vlerësuar nënshkrimin e saj si një moment historik në të mirë të dy vendeve dhe rajonit në tërësi.

Në këtë kuadër, shtoi kryeministri Thaçi, kjo marrëveshje duhet të merret si shembull i mirë nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që këtë ta bëjnë këtë tani, sepse po dëshmohet çdo ditë e më tepër që pavarësia e Kosovës i ka sjellë rajonit më shumë paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane.

Gjatë ditës, Thaçi ka zhvilluar takime me kryeministrin e Jordanisë, Abdullah Ensour, kryeministrin e Tunizisë, Ali Larayedh dhe kryeministrin e Egjiptit, Hisham Kandil, ndërsa do të takojë në një takim të veçantë kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftohet në një komunikatë për shtyp të Kryeministrisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA